Qëndrimi i Bashkimit Evropian është se nuk mund të vihet në dyshim që është kryer gjenocidi në Srebrenicë dhe nuk mund të ketë mohim apo relativizim të gjenocidit, tha sot në Bruksel zëdhënësi i Komisionit Evropian Peter Stano.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Stano vuri në dukje se “Bashkimi Evropian nuk është një anëtar me të drejtë vote në OKB dhe nuk është ai që duhet ta komentojë atë”.
“Por kur bëhet fjalë për gjenocidin në Srebrenicë, pozicioni i Bashkimit Evropian dhe institucioneve të tij është shumë i qartë dhe është bërë i ditur çdo herë në ditën e asaj ngjarjeje të tmerrshme në historinë evropiane”, tha ai.
Zëdhënësi i KE-së shtoi se “nëse është kryer gjenocid në Srebrenicë apo jo nuk është çështje opinioni, sepse vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe organeve të tjera, Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, treguan qartë në 2007 se ishte kryer gjenocid në Srebrenicë”.