Gjykata Speciale në Hagë ka liruar për vizitë në Prishtinë ish-presidentin Hashim Thaçi për shkak të gjendjes shëndetësore të babait të tij.
Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara në Hagë, Michael Doyle tha për Reporterin se për arsye bindëse humanitare u mundësua vizita e Thaçit te babai i tij.
“Për arsye humanitare bindëse, Trupi Gjykues dhe Gjykatësja e Procedurës Paraprake kanë udhëzuar Zyrën Administrative që të menaxhojë një vizitë nën mbikqyrje në Kosovë të Hashim Thaçit për ta takuar babain e tij. I akuzuari mbetet në paraburgim të Dhomave të Specializuara”, tha ai.
Ish-presidenti Thaçi me të arritur në Prishtinë ka shkuar drejt e në QKUK, ku u prit me thirrjet “UÇK-UÇK”.
Ai u pa teksa i përshëndeti nga larg ata që kishin shkuar për ta parë atë para QKUK-së. Thaçit deri më tani i ishin refuzuar disa kërkesa për ta vizituar babanë e sëmurë.