Spartak Ngjela: Arrestimi i Thaçit e ka forcuar shumë pavarësinë e Kosovës

Avokati shqiptar, Spartak Ngjela në një postim në Facebook trajtoi zhvillimet më të fundit në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe rajonin e Ballkanit në përgjithësi, duke i parë ato në dritën e forcimit të identitetit dhe bashkimit kombëtar shqiptar.

Sipas tij, arrestimi i Hashim Thaçit ka shërbyer si një pikë kthese për rikonfigurimin e sigurisë dhe sovranitetit të Kosovës, sidomos në veri të vendit, ku tanimë është e pranishme fuqishëm NATO dhe SHBA.

Me ardhjen në pushtet të Albin Kurtit dhe rritjen e kapaciteteve ushtarake të Kosovës, Ngjela sheh lindjen e një vizioni të ri kombëtar, që mund të çojë drejt formimit të një federate shqiptare mes Kosovës dhe shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut – e ndoshta më tej, edhe drejt një konfederate shqiptare më të gjerë në Ballkan.

Kjo skemë, sipas tij, jo vetëm që nuk bie ndesh me interesat perëndimore, por përputhet me strategjinë afatgjatë të SHBA dhe NATO-s në rajon.

Shkrimi i plotë

Arrestimi i Thaçit e ka forcuar shumë pavarësinë e Kosovës.

I.

Sot po kuptohet se veriu i Kosovës është shumë i sigurt.

Sot, Serbia nuk vepron dot në veriun e Kosovës, sepse tani trupat amerikane dhe ato të NATO – s janë në Kosovë.

Sot Serbia gjendet në situatën që provoi me disfatën në Banjskë dhe e pa edhe forcën ushtarake të Kosovës, e cila tani po vijon përforcimin e saj thelbësor ushtarak me ndihmën e Amerikës. Dhe është pikërisht kjo situatë politike në Serbi, e cila nuk dihes se çfarë do të sjellë me trazirat anti Vuçiç që kanë filluar në Beograd para disa ditësh.

Por ndërkohë duhet ta theksojmë se politika amerikane ia ka shprehur qartë qeverisë së Serbisë që, Veriun e Kosovës e mbron e drejta ndërkombëtare.

Dhe kjo sepse ai territor ka qenë pjesë e pandarë e territorit të Kosovës që në vitin 1974, kur u shpall kushtetuta e Krahinës Autonome të Kosovës, brenda ish Jugosllavisë.

Dhe tani dihet sepse pikërisht këtu, me këtë logjikë historike; u neutralizua krejtësisht shkëputja e Veriur të Kosovës; që u kërkua nga Hashim Thaçi në favor të Serbisë.

Prandaj….

Përderisa territorin real të shtetit të pavarur të Kosovës, i cili vjen që nga viti 1974, e mbron e Drejta Ndërkombëtare, ashtu sikurse e mbron edhe kushtetuta e Republikës së Kosovës; Kosova sot ka një siguri territorialetë absolute.

A e mbani mend se si ikën ushtarët serbë si të thyer në betejën e Banjskës?

II.

Ardhja e Albin Kurtit si kryeministër në Kosovë ka krijuar rend të ri të interesit kombëtar dhe, sidomos, ngritja me urgjencë e ushtrisë shqiptare të Kosovës është një risi për shqiptarinë.

Kjo ushtri e re shqiptare që po ngrihet në Kosovë po i jep një vlerë të re shqiptarisë edhe në Kosovë edhe në Maqedoninë e Veriut, e cila po kuptohet qartë se po ecën drejt shqiptarisë me personalitetin e liderëve shqiptarë të Maqedonisë së Veriut.

Por pyetja mbetet të jetë kjo:

A do të krijohet një federatë shqiptare me dy shtete shqiptarei: Kosova dhe Maqedonia e Veriur?.

Kjo do të varet shumë nga pyetja:

A do të bashkohet pjesa sllave e Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë?

Shenjat janë që një bashkim i tillë bullgar do të vijë, sepse kjo është shprehur edge nga Bullgaria. Por pyetja mbetet të jetë edhe kjo: çdo të bëjnë shqiptarët mbasi sllavët, si bullgarë që janë, do të bashkohen me Bullgarinë?

Kjo pyetje sigurisht që do të jetë e vështirë për sa kohë që në krye të qeverisë shqiptare të mos jetë një kryeministër i iluminuar i patriotizmit të vërtetë shqiptar.

Dhe na duhet të theksojmë ndërkaq se, sot, e gjithë politika e egër e Serbisë është hedhur kundër këtij bashkimi. Por nuk ka fuqi që ta ndalojë.

III.

Por këtu; pikërisht përballë kësaj historie, për shqiptarinë del kjo pyetje:

Çfarë do të bëjnë shqiptarët pas këtij bashkimi?

Mendimi është që pjesa shqiptare e Maqedonisë së Veriut, me rreth 2 milionë shqiptarë, duhet të formojë një federatë shqiptare me Kosovën.

Dhe kuptohet se kjo federatë shqiptare dhe vetë Shqipëria, kur politika e lartë shqiprare do të jetë pastruar nga mbeturinat e Beogradit, mund të krijojnë një sistem të ri marrëveshjeje juridike dhe të formojnë konfederatën e Shqipërisë Etnike.

Të shohim!

Por ne tani jemi të sigurt se kjo që shprehëm është pikërisht koha historike e shqiptarisë së bashkuar që po vjen.

Dhe historia na e ka vërtetuar se:

Kur piqet ndërgjegjja kombëtare e një shoqërie; nuk ka më asnjë forcë që të mund ta ndalojë.

Por këtu me rëndësi është edhe kjo pyetje:

Po politika amerikane, a e ka në favor këtë bashkim të Arbërisë moderne, kur dihet se sot shqiptarët janë një aleat shumë i rëndësishëm i Amerikës në Ballkanin Perëndimor.?

Po!

Bashkimi juridik me një marrëveshje midis disa shteteve shqiptare i etnisë shqiptare në Ballkanin Perëndimor, sot është edhe në interes të NATO-s; por edhe në interesin direkt të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.