Sot zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në Maqedoninë e Veriut, Kurti garon me tre kandidatë për deputetë

Zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale mbahen sot në Maqedoninë e Veriut. Lëvizja Vetëvendosje, partia që qeveris në Kosovë, merr pjesë në garën për pushtet në shtetin fqinj me tre kandidatë për deputetë.

Sot në Maqedoninë e Veriut mbahen zgjedhjet parlamentare dhe zgjedhjet presidenciale (rundi i dytë).

Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti garon në zgjedhjet parlamentare në shtetin fqinj, në koalicionin e partive opozitare shqiptare me akronimin VLEN. LVV ka tre kandidatë për deputetë ndër të cilët edhe Bekim Qoku, këshilltari i kryeministrit.

Në zgjedhjet presidenciale, kandidatja e VMRO-DPMNE-së për presidente të Maedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova prin bindshëm në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale kundrejt Stevo Pendarovskit, presidentit aktual maeqdonas nga LSDM-ja i cili renditet i dyti. Ata përballen sot në një rund të dytë votimi.

Për zgjedhjen e presidentit të ri, në zgjedhje duhet të dalin rreth 750.000 votues, që i bie se nevojiten votuesit e kandidatëve që u eliminuan në rundin e parë.

Mbështetja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti nuk i vleu Arben Taravarit, kandidatit për president të VLEN-it, i cili më 24 prill u desh të përballej me humbjen në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut. Në garën që realisht e kishte me Bujar Osmanin – kandidatin e koalicionit Fronti Europian të udhëhequr nga BDI-ja – ai u mposht bindshëm. Diferenca mes tyre ishte afro 40 mijë vota.

Zgjedhjet e sotme do t’i hapin rrugë formimit të Qeverisë së re nga partia fituese, e cila do të duhet t’i sigurojë 61 votat e nevojshme. VMRO-DPMNE, partia e udhëhequr nga Hristjan Mickoski është favorite në sondazhe.