Mot me temperatura më të ulëta pritet të mbajë sot në vend.
Pasi të martën u regjistruan me gjasë temperaturat më të larta të kësaj vere që shkuan deri në 38 e 39 gradë Celsius, sipas Prishtina Weather sot parashihet mot jo shumë i nxehtë dhe me erë, ku do të ketë intervale më të gjata me diell dhe vranësira kalimtare.
Më vonë pasdite e në mbrëmje rrebeshe e bubullima pritet të kalojnë mbi vend, që lokalisht edhe mund të jenë në formë stuhie me breshër.
Temperaturat maksimale sot pritet të arrijnë në 30 deri në 32 gradë Celsius.
Meteorologu Mendim Rugova tha dje në Frontal në T7 se të martën mori fund vala e fundit e nxehtësisë në vendin tonë.
“Kjo valë e nxehtësisë pak a shumë po merr fund sot”, tha Mendim Rugova, i cili parashikoi se sot “do të kemi edhe erëra pak më të fuqishme”.
“Edhe java e ardhshme ka me i pasë temperaturat më të ulëta sesa këtë javë”, tha ai, duke paralajmëruar se do të na presin “temperatura më të këndshme”.
Pas të nxehtit të regjistruar të martën, Mendim Rugova nuk pret që sivjet të ketë temperatura më të larta se këto.
“Njëherë për njëherë, nuk duket se do të ketë temperatura më të larta”, tha ai.