Sot protestë në Mitrovicën e Veriut për çështjen e dinarit, dalin në rrugë pensionistët

Sot në ora 12:00 në Mitrovicën e Veriut është paralajmëruar se do mbahet një protestë nga pensionistët e komunitetit serb. Kjo thirrje është bërë nga Lista Serbe përmes rrjetit social Facebook.

Protesta sipas tyre, vjen për të kundërshtuar vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për të ndaluar përdorimin e dinarit si mjet pagese.

Zëvendësdrejtori i policisë në Mitrovicën e veriut Veton Elshani për rtv21.tv tha se Policia ka pranuar informatat për këtë protestë.

Në katër komunat veriore të Kosovës, me shumicë serbe, janë parë të dielën disa grafite të reja me mesazhet “Kur të kthehet ushtria në Kosovë, Brigada e Veriut jeton”.