Ambasada amerikane në Kosovë ka kujtuar që sot 18 vjet më parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë njohur zyrtarisht Kosovën, një ditë pas shpalljes së pavarësisë.
“Sot, 18 vjet më parë, Shtetet e Bashkuara e kanë njohur zyrtarisht Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur. Presidenti Bush iu përgjigj pozitivisht kërkesës së Kosovës për të vendosur marrëdhënie diplomatike midis dy vendeve tona”.
Ambasada tha se vendosja e këtyre marrëdhënieve do të rikonfirmojë “lidhjet e veçanta të miqësisë që kanë bashkuar popullin e Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kosova”.
Po ashtu, ambasada ndau një deklaratë të Sekretares së Shtetit të asaj kohe, Condoleezza Rice, pas vendosjes së lidhjeve diplomatike.
“Ndërsa Kosova sot fillon jetën e saj si shtet i pavarur, Shtetet e Bashkuara zotohen të vazhdojnë të jenë miku dhe partneri i saj i ngushtë”. – Deklaratë nga Sekretarja Rice, 18 shkurt 2008”, thuhet në postimin e ambasadës.
