Sonte e nesër stuhi të fuqishme pritet ta godasin Shqipërinë, në Kosovë do të jenë më të pakta

Një ciklon i fuqishëm, i cili gjendet në Detin Mesdhe, do të vazhdojë rrugëtimin sot përmes Italisë dhe rajonit tonë.

Si pasojë, gjatë ditës pritet shtim i vranësirave, ndërsa më vonë do të ketë zhvillime të fuqishme atmosferike, duke sjellë rrebeshe shiu, shkarkesa rrufesh dhe erëra të forta, fillimisht në Mal të Zi, e më pas pjesërisht edhe në veriperëndim dhe veri të Shqipërisë. Disa prej reshjeve do të shtrihen lokalisht edhe në Kosovë para mesnatës.

Tutje, të enjten, gjatë orëve të para të 24-orëshit, në mëngjes dhe gjatë ditës, herë pas here priten zhvillime konvektive të vranësirave, të cilat do të gjenerojnë rrebeshe intensive shiu, shkarkesa të ashpra rrufesh dhe breshër, e në momente të caktuara edhe erëra mjaft të forta.

Reshjet dhe stuhitë më të fuqishme do të përfshijnë Malin e Zi dhe Shqipërinë, ndërsa në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut do të jenë dukshëm më të pakta. Si pasojë e reshjeve intensive në Mal të Zi, pritet të ketë përmbytje.

Të premten dhe të shtunën pritet një përmirësim afatshkurtër i motit në nivel vendi dhe rajoni. Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia për ndonjë reshje të izoluar në zona të caktuara. Përndryshe, moti do të karakterizohet nga diell dhe vranësira kryesisht të pakta.

Të dielën, masa të lagështa ajrore që vijnë nga veriperëndimi i kontinentit do të depërtojnë në vendin tonë gjatë ditës, duke sjellë rrebeshe lokale shiu, shkarkesa të forta rrufesh dhe mundësi për breshër. Reshjet pritet të prekin Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe pjesë të Shqipërisë, ndërsa bregdeti nuk pritet të afektohet.

Temperaturat minimale do të lëvizin prej 13 deri në 22°C, ndërsa ato maksimale prej 23 deri në 34°C. Vlerat më të ulëta do të jenë të enjten, sidomos gjatë kalimit të sistemit. /MeteoKosova/