Një pjesë e madhe e fshatrave të komunës së Rahovecit u përfshinë nga vërshimet në shtator të këtij viti. Si pasojë e vërshimeve u shkaktuan dëme të mëdha në ekonomi familjare, në bujqësi, në infrastrukturën publike etj. Kryetari i Rahovecit Smajl Latifi në një bisedë për Gazetën Express tha se vlera e dëmeve materiale është vlerësuar rreth 2 milionë euro, këtu nuk hyjnë dëmet e shkaktuara në bujqësi pasi janë në pritje të një udhëzimi të Ministrisë së Bujqësisë.
Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, tha se raportin e dëmeve materiale të shkaktuara nga vërshimet ua kanë dërguar drejtpërdrejtë kryeministrit Albin Kurti.
“Ne kemi dërguar raportin përfundimtar për dëmet në amvisëri, ekonomi familjare dhe bizneset që është 1 milion e 59 mijë euro. Po ashtu kemi dërgu edhe raportin për dëmet në infrastrukturë publike në Ministrinë e Infrastrukturës Planifikimit Hapësinor dhe Mjedisit që është vlera mbi 559 mijë euro. Ndërkaq, për dëmet në bujqësi në kulturat bujqësore ne e kemi raportin gati, por kjo nuk varet prej nesh, varet prej një udhëzuesi të Ministrisë së Bujqësisë se sa e vlerësojnë ata një kilogram speca sot, jo sa është ble e sa është në treg, por sa e ka çmimoren Ministria e Bujqësisë. Presim sot të na dërgojnë udhëzimin, por besoj edhe raportin për regjistrimin dhe evidentimin e dëmeve në bujqësi do ta dërgojmë së shpejti në Ministrinë e Bujqësisë”, tha Latifi për Gazetën Express.
Latifi thekson se vlera e dëmeve materiale është llogaritur rreth 2 milionë euro, pa u përfshi dëmet në kulturat bujqësore.
“Ndërkohë që asnjë lloj kompnesimi nuk është bërë, por ne kemi kërkuar kompensim të dëmeve në Infrastrukture Publike në një program emergjent, në amvisëri ekonomi familjare dhe biznese po ashtu kemi kërku kompensim, ndërkohë raportin për bujqësi sapo ta dërgojmë do të kërkojmë kompensim. Vetëm për vërshimet e fundit, thash kemi kosto financiare të dëmeve të shkaktuara gati rreth 2 milionë euro, pa llogaritur dëmet në kulturat bujqësore”, tha Latifi.
Tutje, kryetari i Rahovecit tregoi se raporti në fjalë i është dërguar drejtpërdrejtë edhe kryeministrit Albin Kurti.
“Drejtpërdrejt kryeministrit Albin Kurti ia kemi dërguar raportin e dëmeve në amvisëri, ekonomi familjare dhe biznese, ja kemi dergu ministrisë së Pushtetit Lokal, Ministrisë për Tregëti, Ndërmarrësi dhe Industri, ndërsa raportin për dëmet e infrastrukturës publike ia kemi dërguar kryeministrit dhe Liburn Aliut”, tha Latifi.
Ai tha se nuk kanë pranuar akoma përgjigje nga institucionet të cilave u është dërguar raporti me dëmet materiale të shkaktuara nga vërshimet e shtatorit, por pret përgjigje pozitive.
“Ne zakonisht kur e kemi dërgu raportin, presim përgjigje positive, ende nuk kemi pranuar diçka me shkrim. Mezi po pres me dërgu raportin për regjistrimin e dëmeve në Bujqësi. Do të kërkojmë me iniststim kompensimin e dëmeve”.
Dëme të konsiderueshme materiale vlerësohen që kanë ndodhur edhe në Gjakovë, Gazeta Express ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga kryetari Ardian Gjini por i njëjti nuk është lajmëruar sot në telefon.
Si pasojë e vërshimeve ka pasur edhe familje të evakuuara. /Gazeta Express