Janë arrestuar dy kirurgët e Spitalit të Vushtrrisë dr. Arsim Latifaj e dr. Ekrem Sefiu nën dyshimet për korrupsion. I treti nuk është gjetur në ambientet e spitalit.
Lajmin për arrestimin e tyre për Gazetën Shneta e ka konfirmuar drejtoresha e spitalit Dr. Shekfije Shatri.
“Ju njoftojmë se policia e Kosovës po sa e ka arrestuar në Spital, dr. Arsim Latifaj dhe dr. Ekrem Sefiu. Ndërsa dr. Isuf Zekaj është në pushim vjetor për çka është thirrur në telefon dhe i është kërkuar dorëzimi në polici”, ka deklaruar Shatri.
Kirurgët janë suspenduar edhe nga puna në këtë spital.
“Në këtë rast, do të veprojmë në pajtim me legjislacionin në fuqi dhe me këtë rast dr. Isuf Zekaj, shkarkohet nga pozita u.d shef i Repartit dhe suspendohet nga puna, po ashtu edhe dr. Ekrem Sefiu dhe dr. Arsim Latifaj suspendohen nga puna deri në një vendim të ri”, ka thënë Shatri për Gazetën Shneta.
Kujtojmë se tre kirurgët janë të përfshirë në një skandal të korrupsionit të iniciuar nga gazetari Bujar Vitija në Policinë e Kosovës më 3 tetor të vitit të kaluar.
Ndërkaq dje janë publikuar videot të cilat dëshmojnë për ryshfetin.
Pacientë dhe familjarë tregojnë se si iu kanë dhënë para mjekëve për të kryer operacionet në këtë spital.
Megjithëkëtë, gazeta Shneta gjatë ditës së djeshme ka raportuar për dyshimet tre kirurgë kanë marr para nga pacientët për të kryer operacionet në Spitalin e Vushtrrisë. Gazeta ka publikuar katër video ku përfliten tre kirurgë, Isuf Zekaj, Ekrem Sefiu dhe Arsim Latifaj.
Për këtë punë kanë reaguar edhe nga Ministria e Shëndetësisë.
Prej MSH-së kanë deklaruar se pas marrjes së informacioneve zyrtare sot nga Spitali i Vushtrrisë, se tre kirurgët janë duke u hetuar nga Prokuroria, ditëve në vijim do të marrin masa sipas ligjit.
“Në lidhje me rastin e rapotuar në medie për rastin e Spitalit të Vushtrrisë, Ministria e Shëndetësisë përmes Bordit të ShSKUK- së, sot pasdite ka pranuar njoftimin zyrtar nga Spitali i Vushtrrisë, ‘Shekih Zajed’ së tre kirurgë tashmë një kohë janë duke u hetuar nën dyshimin për korrupsion. Ministria e Shëndetësisë dhe ShSKUK janë në dispozicion të organeve të hetuesisë në mënyrë që procesi i hetimeve të vazhdojë deri në zbardhjen e plotë, dhe njëkohësisht përmes mekanizmave brenda institucioneve ditëve në vijim do të ndërmarrim të gjitha masat e parapara ligjore”, u tha në reagimin e MSH-së.