S’ka tym të bardhë: Çka u tha pas takimeve në Bruksel?

Nuk kishte tym të bardhë mbrëmë në Bruksel, pasi sërish nuk u arrit ndonjë marrëveshje. Sërish, sipas kryeministrit Albin Kurti, Kosova e pranoi marrëveshjen, ndërsa atë e refuzoi Serbia. Ndërsa ndërmjetësi, pra BE-ja, e qartësoi se të dy palët kishin parakushte. Çka u tha pas takimeve?

Krejt në mbrëmje, disa orë pas përfundimit të takimit të Kurtit me liderët evropianë, Qeveria e Kosovës e lëshoi një komunikatë relativisht të gjatë. Në atë komunikatë, u theksua se Kosova e ka pranuar marrëveshjen e Brukselit.

“Republika e Kosovës e ka pranuar Marrëveshjen Bazike të Brukselit të 27 shkurtit 2023 dhe Aneksin Zbatues të Ohrit të 18 marsit 2023. Këto dokumente të dakorduara janë një sukses i përbashkët me Bashkimin Evropian. Marrëveshja duhet zbatuar në tërësi, pa kushte, pa vonesa.” – shkroi Qeveria e Kosovës në Facebook.

Tutje, në këtë komunikatë, kërkohej edhe sanksionimi i Serbisë për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

“Kryeministri Kurti theksoi që, pas sulmit të agresionit të 24 shtatorit, në Zveçan, prioritet për të është siguria në Kosovë, në veçanti siguria e kufirit me Serbinë, meqë nga ana tjetër erdhën paramilitarët të cilët kryen sulm terrorist e kriminal duke vrarë e plagosur policë të Kosovës. Që kjo të mos përsëritet kurrë më, nevojiten sanksione dhe ndëshkim për Serbinë.” – thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.

Ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se Serbia është e gatshme të pranojë Asociacionin, duke shtuar se nuk ka asgjë të re në qëndrimet e tij në takimet me tre liderët evropianë.

“Ne kemi folur në takime për të gjitha temat kyçe dhe Serbia ka thënë qartë se dëshiron të zbatojë të gjitha marrëveshjet që janë nënshkruar. Gjithmonë e kemi theksuar vetëm një gjë, atë që po e përsërisim tash e 10 vjet, që Serbia nuk mund të pranojë anëtarësimin e të ashtuquajturës Kosovë në OKB dhe as të ashtuquajturën pavarësi të Kosovës…Ne jemi të gatshëm për formimin e Asociacionit sipas propozimit që morrëm (nga pesëshja)” – tha Vuçiq.

Në anën tjetër, ndërmjetësi Josep Borrell, shef i diplomacisë së BE-së, e përmendi Asociacionit e komunave me shumicë serbe, duke e quajtur mosthemelimin e tij si “një pengesë e madhe”.

“Është një pengesë e madhe, e që është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës. Në mënyrë që të ndihmohen palët për të arritur marrëveshje, bashkë kemi prezantuar një propozim serioz evropian dhe të balancuar për ta themeluar këtë asociacion dhe kemi insistuar që palët ta shfrytëzojnë këtë rast, që do të ishte hap i madh përpara drejt procesit të normalizimit dhe të shmangen ngritjet e reja të dhunës.” – deklaroi Borrelli.

Tutje, Borrell përmendi vendosjen e parakushteve nga Kosova e Serbia, të cilat “ishin të papranueshme nga pala tjetër”.

“Palët nuk ishin të gatshme që të pajtoheshin me këtë, pa parakushte të cilat ishin të papranueshme nga pala tjetër. Në fund, kërkuam nga palët që të angazhohen sinqerisht në procesin e normalizimit, që mund të bëhet vetëm përbrenda në kornizën e dialogut, sepse është e vetmja rrugë për ta për avancim në rrugën evropiane.” – shtoi Borrell./Nacionale