Sipas Express-it, arsyeja e vrasjes së 41-vjeçarit në Hajvali dyshohet të ketë qenë mosmarrëveshja në komunikacion

Një person u vra të hënën në Prishtinë – rreth orës 22:00.

Gjuajtja me armë zjarri në Hajvali u konfirmua nga Policia e Kosovës, po ashtu edhe drejtori i Emergjencës së QKUK konfirmoi se është konstatuar vdekja e viktimës.

Motivet e kësaj vrasjeje akoma nuk dihen zyrtarisht, por burime të Gazetës Express brenda Policisë së Kosovës tregojnë se mosmarrëveshjet në komunikacion ishin shkaku që çoi në këtë vrasje.

I dyshuari është në arrati dhe po kërkohet nga Policia e Kosovës.

“Sot rreth orës 22:00, është raportuar për gjuajtje me armë zjarri, në Hajvali, ku është vrarë një person. Vdekja e viktimës mashkull është konstatuar nga ekipi mjekësor në QKUK. Policia ka nisë një hetim për zbardhjen e rastit, ndërkohë që  është në kërkim të personit të dyshuar i cili tashmë është indentifikuar”, ka thënë Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës.

Ndërkaq Naser Syla nga Emergjenca ka treguar se viktima është dërguar në QKUK pa shenja jete.