Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat ka kërkuar që Qeveria e Kosovës ta heq kushtëzimin për përfitimin e 50 eurove të ndara në kuadër të Pakos për Inflacionin.
Sipas SPSK-së, nëse nuk hiqet ky kushtëzim, 95 për qind e punëtorëve në sektorin privat nuk do të janë në gjendje t’i marrin këto mjete.
“Sindikata jonë kërkon që të hiqet kushtëzimi nëse pronarët e kompanive paguajnë për punëtorët nga 50 euro atëherë do të paguani edhe ju. Andaj duke u nisur nga gjendja dhe praktika e kahershme nëse nuk hiqet ky kushtëzim, 95 për qind e punëtorëve të sektorit privat të Kosovës, nuk do ta kenë mundësinë t’i marrin këto mjete. Meqë kjo kërkesë nuk e ngarkon buxhetin që ju e keni ndarë për këto kategori”, thuhet në reagimin e sindikatës.
Kryeministri Albin Kurti kishte bërë të ditur se duke filluar nga ky muaj për zyrtarët publikë do të ndajnë shtesën prej 50 euro, kurse për punëtorët në ndërmarrjet publike do të ndajnë shumën e njëhershme prej 100 euro.
Ai njoftoi se për pensionistët do të ndajnë shumën e njëhershme prej 100 euro (në tetor), ndërkaq familjet në asistencë sociale do t’i mbështesin duke dyfishuar shumën e asistencës për një muaj.
Kurti duke përmendur punëtorët privat ka thënë se 80 për qind janë të angazhuar në këtë sektor, e që është prekur më së shumti nga inflacioni.