Përkundër se protestuan e më pas u pritën në takim nga kryeministri Albin Kurti, pjesëtarët e Policisë së Kosovës do t’i marrin pagat me propozimin e parë që u bë nga Qeveria.
Kjo nuk u mirëprit nga Sindikata e Policisë, të cilët thonë se janë në shqyrtim të hapave tjerë sindikalë. Kurse ish-pushtetarët thonë se këtyre zyrtarëve duhet plotësuar të gjitha kërkesat.
Pas shterjes së të gjitha mundësive, u detyruan të protestojnë.
Pjesëtarët e Njësisë Speciale Intervenuese shprehën para objektit të Qeverisë pakënaqësitë që kishin sa i përket shtesave të rrezikshmërisë.
Madje, paralajmëruan edhe një protestë tjetër me kërkesa të njëjta, por që u anulua për shkak të premtimit që morën nga kryeministri Albin Kurti se do t’i presë në takim.
Por, edhe pas takimit vendimi mbeti i njëjtë, s’ka rritje të rrezikshmërisë për ta dhe pjesëtarët e tjerë të Policisë.
Kjo u konfirmua edhe në mbledhjen e ekzekutivit të enjten ku kreu qeveritar bëri të ditur se këto shtesa janë propozuar me një kujdes të veçantë.
Të pakënaqur se nuk u morën parasysh kërkesat e tyre, siç thotë kryesindikalisti i policëve janë të gjithë zyrtarët.
“Sa i përket vendimit të Qeverisë për nivelin e shtesave për rrezikshmëri, të gjithë pjesëtarët e policisë janë të pakënaqur. Jemi në konsultim se çka më tutje”, tha kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës.
Se duhet plotësuar kërkesat e zyrtarëve policorë e thotë edhe një ish zv.ministër i Punëve të Brendshme.
Veçse ky thekson se primare për institucionet duhet të jenë policët e rendit, pasi siç thotë ai janë më të rrezikuarit.
Sipas vendimit, për njësitë elitare shtesat do të jenë nga 150 deri në 120 euro, kurse ekipet reaguese dhe patrullat nga 100 deri në 40 euro. /Tëvë1.