Me kërkesë të avokatit Florent Latifaj, mbrojtës i këngëtarit Sinan Vllasaliu, është anuluar seanca e së enjtes në rastin ku Vllasaliu po akuzohet se ka dëmtuar shtetin me 24 mijë e 270 euro e 98 centë, duke iu shmangur tatimeve gjatë viteve 2011-2015.
Gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica konfirmoi se avokati Latifaj përmes parashtresës kishte kërkuar që seanca e sotme të shtyhet, me arsyetimin se i akuzuari Vllasaliu gjendet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Andaj, gjykatësja Krasniqi-Jashanica njoftoi se seanca e sotme është anuluar dhe se për këtë janë njoftuar palët.
Ndryshe, i akuzuari Vllasaliu ishte deklaruar i pafajshëm në seancën e mbajtur më 18 nëntor 2022.