”Periudha e ardhshme mund të jetë shumë sfiduese për serbët në Kosovë sepse ekziston rreziku real që Albin Kurti të ndërmarrë një veprim tjetër që mund ta komplikojë edhe më shumë situatën në terren”.
Kështu ka deklaruar nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq.
Simiq ka theksuar se pikërisht për këtë ishte e rëndësishme vizita e përfaqësuesve të Listës Serbe në Uashington në këtë moment, sepse ata i paralajmëruan nikoqirët e tyre për pasojat e lëvizjeve të mundshme të Kurtit dhe se vetëm ata munden ta ndalojnë hapjen e një pike të re të nxehtë në tokën e Evropës dhe garantojnë sigurinë e serbëve.
Ai, megjithatë, shton se nga SHBA-të në Kosovë po kthehet me një dozë optimizmi, kur bëhet fjalë për ngjarjet e ardhshme.
Ai pret që serbët të jenë të qetë dhe të përmbajtur, të mos bien në provokime dhe të mos lejojnë Kurtin të ketë ndonjë argument për forcimin e mëtejmë të forcave speciale apo arsyetim për njësitet e tyre që janë të pranishme në veri të Kosovës.