Komandanti i forcave veri-atlantike të NATO-së në Kosovë, Major Gjeneral Özkan Ulutaş, ka folur për gjendjen e sigurisë në Kosovë, e në veçanti për atë në pjesën veriore të vendit.
Komandanti i KFOR-it që vjen nga shteti i Turqisë ka thënë se situata pas Banjkës është e brishtë, por e qetë.
“Në përgjithësi, situata është e qetë, por mbetet e brishtë. Ne jemi duke monitoruar nga afër çdo zhvillim të rëndësishëm të sigurisë në rajon, sepse ndërgjegjësimi për situatën është jetike për ne”, tha ai për Telegrafin.
KFOR-i po monitoron situatën dhe sipas komandantit të saj po fokusohet në disa faktorë kyç të cilët i ka përmendur.
“Vlerësimi im i situatës së sigurisë zakonisht fokusohet në disa faktorë kyç: Stabiliteti dhe siguria: vlerësimi i stabilitetit të përgjithshëm brenda Kosovës, duke përfshirë praninë e çfarëdo tensioni që ndikon në një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet; Liria e lëvizjes: monitorimi dhe sigurimi i lirisë së lëvizjes, që është një aspekt kritik i situatës së sigurisë dhe një mandat thelbësor i KFOR-it; Incidentet e sigurisë: monitorimi dhe reagimi ndaj çdo incidenti të sigurisë që mund të ndodhë, duke vlerësuar ndikimin e tyre të mundshëm në mjedisin e përgjithshëm të sigurisë; Bashkëpunimi me aktorët rajonalë dhe institucionet vendore: niveli i bashkëpunimit dhe dialogut në mes të KFOR-it dhe institucioneve vendore, si dhe shefit të Mbrojtjes së Serbisë, pasi ky është vendimtar për ruajtjen e paqes dhe sigurisë”, tha ai.
Gjeneral Özkan Ulutaş ka folur edhe për rritjen e ushtarëve të KFOR-it në këtë pjesë të vendit dhe rëndësinë e komunikimit me të gjitha palët në Kosovë dhe rajon.
“Pas tensioneve të fundit, ne dislokuam rreth 1000 trupa shtesë në Kosovë dhe rritëm praninë e KFOR-it në veri të Kosovës. Ky ishte përforcimi më i madh i misionit tonë në një dekadë. Gjithashtu kemi trefishuar numrin e patrullave, duke përfshirë edhe përgjatë vijës kufitare administrative. KFOR-i ka një prani fleksibile dhe të dukshme në mbarë Kosovën, gjë që i mundëson misionit tonë t’i përgjigjet të gjitha situatave që ndikojnë në një mjedis të sigurt”./S