Trajnerit të deritanishëm Kombëtares së Kosovës, Primozh Gliha, nuk i është vazhduar kontrata e punës.
Kështu ka njoftuar Federata e Futbollit e Kosovës, përmes një komunikate, raporton Klan Kosova.
“Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar se me përfundimin e ciklit kualifikues për Kampionatin Evropian 2024, ka përfunduar edhe marrëveshja me trajnerin e deritanishëm Primozh Gliha”, thuhet në komunikatë.
FFK-ja e ka falënderuar përzgjedhësin Gliha për punën e tij në krye të ekipit kombëtar në gjashtë ndeshjet kualifikuese të zhvilluara pas shkarkimit të ish-përzgjedhësit, Alain Giresse.
“Federata e Futbollit e Kosovës tashmë ka filluar analizimin e thellë të situatës aktuale në ekipin kombëtar A dhe pas kësaj analize do të merren masat adekuate dhe veprimet e ardhshme, përfshirë edhe angazhimin e përzgjedhësit të ri që do t’i prijë ekipit kombëtar”, thuhet më tej në komunikatë.