Policia e Kosovës ka arrestuar dje në Prishtinë, Korab Gashin një nga të dyshuarit për grabitjen në argjendarinë “Diakos”, në Suharekë. Kjo grabitje kishte ndodhur më nëntor të vitit të kaluar dhe që nga atëherë i njëjti ishte në arrati, shkruan Gazeta Express.
Për kapjen e tij, policia kreu një operacion të organizuar në të cilin u kap ai në Prishtinë.
Policia e Kosovës sot më 1 korrik 2024 gjatë një operacioni të organizuar nga njësitet relevante të saj ka arrestuar në Prishtinë personin e dyshuar me iniciale (K.G.), i cili dyshohet se është i përfshirë në rastin e Grabitjes së argjendarisë në Suharekë. I apostrofuari me iniciale (K.G.) ndodhej në arrati që nga muaji nëntor i vitit 2023 dhe tani më është arrestuar nga autoritetet policore”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Të dyshuarit e tjerë që gjenden prapa grilave janë Bujar Basha, Leotrim Cakolli, Besart Istrefi, të dyshuar për veprën penale “Grabitje”, kurse Trim Baraku për “Armëmbajtje pa leje”. Ndërkaq, Dukagjin Gashi kishte mbetur i vrarë gjatë një aksioni të policisë për t’i arrestuar të dyshuarit.
Sipas të dhënave të para vlera e arit që u grabit në atë argjendari ishte rreth 250 mijë euro.
Ndryshe, Policia e Kosovës me 13 dhjetor të vitit të kaluar ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për kapjen e të dyshuarit për grabitjen e armatosur në një argjendari në Suharekë që ndodhi më 22 nëntor i cili ende është në arrati.
Personi i cili po kërkohet nga policia është Korab Zeqir Gashi, i lindur më 01.03.1982 në Prishtinë.
Në njoftim thuhet se ndaj të dyshuarit në fjalë është lëshuar edhe urdhër arrest nga organet e drejtësisë.