Shteti lë pa shujta e pa transport policët e Kosovës

Nuk janë të pakta situatat kritike, në të cilat është gjendur Kosova kur në mbrojtje të vendit, pa hezitim e sypatrembur, kanë dalë vetëm pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Padyshim se i menjëhershëm ishte aktiviteti i tejshtuar i qeveritarëve dhe jo vetëm në rrjete sociale e nëpër deklarata televizive.

Lëvdata e mirënjohje.

Madje, edhe homazhe te ata që dhanë jetën gjatë kryerjes së detyrës së tyre.

Kohëve të fundit, përveç kryeministrit Albin Kurti, ai që mburret me punën e secilit pjesëtar të Policisë së Kosovës është ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.

Por, çka realisht po bëjnë Sveçla e Kurti për po këta Policë të cilët po lavdërohen në paraqitje publike?

Duket se mbështetja po mbetet surreale, njëjtë sikurse rrjetet sociale.

Trajtim më i mirë i Policëve të Kosovës kërkohet çdo ditë por qeveritarët kujtohen t’ua përmendin vetëm e vetëm pasi që vendi të përballet me ndonjë tension të shkaktuar kryesisht nga politikat të cilat udhëhiqen nga pikërisht krerët e qeverisë.

Por, institucioni i vetëm i sigurisë në vend ka vite që ballafaqohet me kërkesa të papërmbushura dhe premtime boshe.

Një barrë të tillë tash e sa vite po e bartë mbi supe kryetari i Sindikatës së Policëve, Imer Zeqiri.

Derisa për kryerjen e aksioneve të suksesshme, që bartin rrezik në vete, po thuren lëvdata, pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë probleme me pagesën e shtesave të rrezikshmërisë.

Ata kaluan muaj të tërë pa u paguar për to dhe në ndërkohë që atyre iu ofrua një zgjidhje, ato shtesa u përgjysmuan.

Rreziku, i cili iu kanoset në baza ditore pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, pasqyrohet më së miri me statistika e lëndime në vendin e punës. Shumë policë gjetën vdekjen gjatë shërbimit të tyre ndaj shtetit të Kosovës. Të tjerët mbetën përjetë invalidë.

Sindikata ka vite që kërkon krijimin e fondit për ndihmë për familjet e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët humbën jetën apo mbetën të lënduar gjatë kryerjes së aksioneve.

Kërkesa e tyre nuk është se nuk mori aprovim. Por në realitet nuk u implementua asnjëherë.

Sigurimet jetësore për pjesëtarët e Policisë së Kosovës janë diçka që Sindikata ka kohë që i kërkon.

Kryetari i Sindikatës së Policëve, Imer Zeqiri, tha se sigurimi është i domosdoshëm mirëpo, sipas tij, qeveritarëve nuk po iu mbushet mendja të aplikojnë një gjë të tillë.

Për KIKS-in, Zeqiri tregoi se policëve që e kalojnë ditën në punë nuk u paguhet as shujta.

E madje nëse dikush nga ta ka qëlluar të jetojë jashtë Prishtinës, udhëtimi deri në punë dhe kthimi për në shtëpi i mbetet kosto që duhet ta paguajë nga mjetet vetanake.

Pensionimi më i hershëm i policëve i është kërkuar Qeverisë nga Sindikata, kjo me arsyen se puna e policit kërkon energji e kondicion të pashtershëm dhe sipas tyre, një gjë e tillë mund të jetë e plotë vetëm deri në moshën 55-vjeçare.

Me listën e gjatë të kërkesave drejtuar Qeverisë, Imer Zeqiri thotë se nuk ka gjetur vend të asnjë pushtet – si ato të kaluarat, e as kjo e tashmja.

Fjalët që po thuhen në takimet me krerët shtetërorë, sipas Zeqirit, po mbeten vetëm premtime dhe kjo po ndikon drejtpërdrejt në Policinë e Kosovës.

Totalisht i zhgënjyer, Zeqiri i gjendur në një situatë ku tashmë Kosova është vend i liberalizuar dhe policëve jodomosdo iu duhen vizat për të udhëtuar në një vend të Evropës, ai shpërfaq frikën se ajo që mendohej edhe mund të ndodhë.

Zeqiri e thotë decidivisht se policët e Kosovës edhe mund të largohen nga vendi duke kërkuar jetë, trajtim e kushte më të mira në njërin nga vendet e Evropës. /KlanKosova