Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës.
Shpeshherë kërcënimet verbale eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetë.
Një rast i tillë ka ndodhur dje në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’, ku një shtetas i Polonisë dyshohet se ka shkaktuar telashe derisa po qëndronte në një kafene.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari fillimisht ka pasur probleme me disa persona tjerë dhe në momentin që zyrtarët policorë kanë ndërhyrë për ta qetësuar situatën, ai i ka sulmuar fizikisht.
Si pasojë e kësaj, një rreshter policor ka marrë lëndime trupore dhe ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital.
I dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor.
Me urdhër të prokurorit, 28-vjeçari është dërguar në mbajtje nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Sulm ndaj personit zyrtar’.