Shtatë raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës, sipas raportit 24 orësh.
Në Prishtinë, një burrë ka raportuar se ish bashkëshortja e tij po i keqtrajton fëmijët, që janë nën kujdestarinë e saj.
“DHUNË NË FAMILJE-Prishtinë 25.05.2024 – 17:00. Ankuesi mashkull kosovar, raporton se kishte pasur mosmarrëveshje me ish bashkëshorten e tij, rreth kujdestarisë së fëmijëve. Sipas ankuesit fëmijët janë duke u keqtrajtuar nga e dyshuara, e cila i ka nën kujdestari. Ankuesi po ashtu kishte pranuar në telefon edhe mesazhe kërcënues nga e dyshuara. Nuk raportohet për të arrestuar. Rasti nën hetime.”
Ndërsa në Drenas, një shtetase e Shqipërisë ka deklaruar se është rrahur nga burri i saj.
“Gllogoc 25.05.2024 – 17:30. Viktima femër shtetase e Shqipërisë, ka njoftuar se pas një mosmarrëveshje është rrahur nga bashkëshorti, i dyshuari mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje.”
Në Podujevë, një grua ka raportuar për dhunë në familje nga bashkëshorti i saj.
“Podujevë 25.05.2024-19:00. Viktima femër kosovare, ka raportuar për dhunë në familje nga bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt.”
Rasti tjetër është në Ferizaj, ku nëna dyshohet se e ka goditur me mjet të fortë vajzën e saj të mitur.
“DHUNË NË FAMILJE- Ferizaj 25.05.2024 – 19:15. Raportohet se pas një mosmarrëveshje, e dyshuara femër kosovare me një mjet të fortë, ka goditur vajzën e sajë të mitur. Viktimës i është ofruar ndihma mjekësore. Pas intervistimit me vendim të prokurorit e dyshuar lirohet në procedurë të rregullt.”
Ndërsa në Pejë, nëna ka raportuar se djali i saj ka ushtruar dhunë psikike.
“DHUNË NË FAMILJE- Pejë 25.05.2024 – 13:00. Ankuesja femër kosovare, raporton se djali i saj ka ushtruar dhunë psikike ndaj viktimës. Raportohet se i dyshuari gjendet në arrati. Rasti nën hetime.”
Vëllai vëllain e ka rrahur në Gjakovë. Më pas ka ndërhyrë nëna.
“DHUNË NË FAMILJE- Gjakovë 25.05.2024 – 14:55. Raportohet se i dyshuari mashkull kosovar ka sulmuar fizikisht vëllain e tij viktimën mashkull kosovar, ku gjatë ndërhyrjes së nënës së tyre, e njëjta ka pësuar lëndime. Të lënduarit kanë refuzuar tretmanin mjekësor. I dyshuari është arrestuar, i njëjti pas intervistimit me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje për 48 orë.”
Në Mitrovicë të Veriut, një burrë dyshohet se e ka goditur me dorë vajzën e tij 3 vjecare.
“SULM- Mitrovicë veri 25.05.2024 – 20:45. Raportohet se i dyshuari mashkull kosovar, ka goditur me dorë vajzën e tij të moshës 2 vjeçare. Bashkëshortja dhe motra e saj kanë tentuar që ta ndalojnë, por i dyshuari ka vazhduar duke goditur edhe viktimën femër kosovare. Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe e njëjta ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit rasti shkon në procedurë të rregullt.”