Njësitë e Policisë së Kosovës kanë blinduar sot oborrin e Klinikës së Patologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pas alarmit për një mjet shpërthyes. Pas punës së Policisë, SHSKUK ka njoftuar se janë gjetur disa mjete shpërthyese.
Sipas SHSKUK, mjetet shpërthyese të gjetura brenda QKUK-së dyshohet të jenë nga koha e paraluftës.
Të njëjtat janë gjetur përgjatë inventarizimit të invertarit nga Oda e Mjekëve.
Njoftimi i plotë:
Rreth orës 14:00, është pranuar informata për një mjet të dyshimtë, që dyshohet të jetë mjet shpërthyes, në Institutet Paraklinike, në QKUK, hapësirat ku është vendosur Oda e Mjekëve e Kosovës.
Menjëherë pas marrjes së informatës, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar nga rreziku i shpërthimit eventual, duke evakuar personelin përreth dhe siguruar perimetrin e nevojshëm.
Në vendngjarje po ashtu janë ftuar edhe ekipet e specializuara të Policisë së Kosovës për menaxhimin e mjeteve shpërthyese.
Mjetet dyshohet të jenë nga koha e paraluftës dhe janë gjetur gjatë inventarizimit të inventarit nga Oda e Mjekëve.