Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Iglo Hasani, ka bërë të ditur se 15 qytetarë, tre prej tyre nga Kosova janë larguar nga Izraeli për në vendlindje.
Ai ka thënë se po punohet për kthimin edhe të dy qytetarëve të tjerë.
“10 nxënës që studiojnë në shkollat ndërkombëtare në Izrael, 7 prej të cilëve nga Shqipëria dhe 3 nga Kosova, së bashku me 5 punonjës të Ministrisë së Turizmit dhe familjarë të tyre, kanë mbërritur në Qipro. Sot në mbrëmje të 15 qytetarët që u larguan nga Tel Aviv udhëtojnë drejt Tiranës e Prishtinës.” – ka shkruar ai në Facebook.
“Ndërkohë, 13 turistë shqiptarë janë larguar mbrëmjen e djeshme nga Jordania, e prej disa orësh janë pranë familjeve të tyre në atdhe.” – ka thënë tutje ai.
Shkrimi i plotë:
Qytetarët shqiptarë, që udhëtuan javën e kaluar për arsye pune apo turistike në Lindjen e Mesme janë shëndoshë e mirë.
Prej mbrëmjes së të shtunës, përmes koordinimit të pandërprerë me ambasadat e Republikës së Shqipërisë në Izrael e Egjipt, nisëm punën për të organizuar kthimin e të gjithë qytetarëve shqiptarë, fluturimet e të cilëve u anuluan për shkak të situatës së tensionuar në rajon.
10 nxënës që studiojnë në shkollat ndërkombëtare në Izrael, 7 prej të cilëve nga Shqipëria dhe 3 nga Kosova, së bashku me 5 punonjës të Ministrisë së Turizmit dhe familjarë të tyre, kanë mbërritur në Qipro. Sot në mbrëmje të 15 qytetarët që u larguan nga Tel Aviv udhëtojnë drejt Tiranës e Prishtinës.
Po punohet për kthimin në atdhe edhe të dy qytetarëve, të cilët nuk mundën dot të përgjigjeshin në telefon të dielën, ndërsa përgatitej fluturimi i rradhës.
Ndërkohë, 13 turistë shqiptarë janë larguar mbrëmjen e djeshme nga Jordania, e prej disa orësh janë pranë familjeve të tyre në atdhe.
Mirënjohje diplomatëve të Republikës së Shqipërisë në Izrael e Egjipt, të cilët ndihmuan dhe asistuan qytetarët në këto orë të vështira.