Sami Delijaj, ortoped u arrestua të hënën nën dyshim për marrje ryshfeti. Ai me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë u la në arrest shtëpiak pavarësisht se Prokuroria tha se ka prova se i njëjti ka kërkuar marrje ryshfeti.
E Delijajaj nuk është i vetmi që këtë vit është arrestuar për këtë vepër penale.
Më 30 prill të këtij viti, një anesteziolog dhe një kirurg u arrestuan me urdhër të Prokurorisë së Gjilanit si të dyshuar për marrje ryshfeti.
Mjeku anesteziolog dyshohej se kishte kërkuar ryshfet në vlerë prej 100 eurosh për të kryer një ndërhyrje.
Edhe në muajin janar ku tre kirurgë ishin të përfshirë në një skandal të korrupsionit, të cilët dyshoheshin se kishin kërkuar para shtesë për të kryer operacione në spitalin e Vushtrrisë.
Express ka provuar të marr një qëndrimin nga Oda e Mjekëve lidhur me këtë fenomen por të njëjtit nuk janë përgjigjur.
Për këtë fenomen ka shkruar edhe gazetari i shëndetësisë, Bujar Vitija.
Ai tha se arrestimi i gjashtë mjekëve brenda një viti për marrje ryshfeti, flet shumë për gjendjen e shëndetësisë në Kosovë.
“Gjashte mjeke jane arrestuar nen dyshimet per marrje te ryshfetit kete vit. Kjo flet shume per gjendjen e shendetesise dhe me çka perballen qytetaret e Kosoves. Me gjithe semundjen dhe problemet tjera, detyrohen me dhan ryshfet per me u sheru prej semundjes. Marrja e sherbimeve mjekesore eshte nje nga te drejtat themelore, e as kjo nuk na garantohet ne spitalet tona. Kjo eshte me se paku deshtim i mekanizmave mbikeqyres dhe organeve te drejtesise. E qytetaret duhet te inkurajohen qe te denoncojne sa ma pare rastet kur ju kerkohet ryshfet per nje sherbim qe iu garantohet se paku me ligj”, tha gazetari Vitija.
Delija dyshohet se kërkoi 450 euro për ta operuar një pacient në QKUK
Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur që ortopedi Sami Delijaj i arrestuar për dyshime për veprën penale “Marrje ryshfeti” të vendoset në paraburgim shtëpiak.
Gjykata ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë që mjekut në fjalë t’i caktohet masa e paraburgimit.
“Gjyqtarja e procedurës paraprake e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit S.D dhe të njëjtit i ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji. Masa e arrestit shtëpiak të pandehurit S.D i është caktuar në harmoni me nenin 181 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1 e 1.2 lidhur me nenin 184 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1 dhe 1.2 të KPPRK-së, ndërsa konform nenit 181 paragrafi 5 të KPPRK-së, në rast të mosrespektimit të masës së arrestit shtëpiak, gjykata mund të caktoj masën e paraburgimit kundër të pandehurit S.D,”, thuhet në vendim.
Policia pati njoftuar se tek Delijaj janë sekuestruar një shumë e të hollave, një telefon celular si dhe disa pajisje mjekësore.
Arrestimi i kirurgut dhe anesteziologut në Gjilan
Më 30 prill në Spitalin e Gjilanit u arrestuan një kirurg dhe një anesteziolog.
Mbi 500 euro i kishte kërkuar ryshfet kirurgu L.M. me rastin e operimit të një pacienteje në Spitalin Rajonal të Gjilanit.
Ndërsa kolegu i tij, anesteziologu H.B. kishte kërkuar ryshfet 100 euro për shërbimin e tij.
Policia e Kosovës ka njoftuar se pas hetimeve të kryera ka arrestuar dy të dyshuarit në flagrancë.
Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në kuadër të Policisë së Kosovës, të shtunën, rreth orës 20:00, ka arrestuar dy doktorë të Spitalit Rajonal të Gjilanit. Ata dyshohen për veprën penale marrje ryshfeti.
E në Spitalin e Vushtrrisë në janar të këtij viti u arrestuan dy kirurg dhe një tjetër u urdhërua të paraqitet në stacion policor, pasi dyshohet se se morën para nga pacientët për të kryer operacionet. /Express/