Nga shpërthimi i një granate dore në orët e vona të së hënës në veri të Mitrovicës janë plagosur dy persona.
Njëri nga të plagosurit ka pësuar lëndime më të rënda, por ndodhet jashtë rrezikut për jetë.
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani ka thënë se lidhur me këtë rast ende nuk është arrestuar ndonjë person dhe se nuk beson që rasti ka të bëjë me çështje etnike.
“Ende nuk ka të arrestuar, derisa nuk kemi arsye të besojmë që ky rast ka lidhje me çështje etnike”, tha Elshani.
Ai shtoi se granata ka shpërthyer jashtë hotelit “Bisevac”.
“Granata ka shpërthyer jashtë hotelit Bisevac, derisa tre persona kanë qenë duke hyrë në veturë”, u shpreh Elshani për Telegrafin.
Nga Policia thanë se ngjarja ndodhi në orën 23:50. Nga shpërthimi janë dëmtuar edhe shtatë vetura që gjendeshin aty pranë, ndërkaq autoritetet e sigurisë thanë se po merren për zbardhjen e këtij rasti.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe EULEX-i dhe KFOR-i.