Para Forumit të Gruas, Paqes dhe Sigurisë është protestuar të martën me kërkesën që të shpallet gjendja emergjente menjëherë. Protesta e së martës vjen pas vrasjes së një gruaje në Pejë, e që ndodhi vetëm katër ditë pas një tjetër vrasjeje në Ferizaj.
Në një aksion para ambienteve ku po mbahet ky forum, është protestuar me thirrjen që të shpallet gjendje emergjente menjëherë.
Liridona Sijarina nga Qendra Kosova për Studime Gjinore ka thënë se kanë kërkuar që të hyjnë brenda Forumit e të përballen me presidenten dhe t’i tregojnë se duhet në mënyrë urgjente të thirret mbledhja e Këshillit të sigurisë e të shpallet gjendje emergjente.
“Presidenca edhe neve asnjë prej shoqërisë civile këtu që jemi nuk e kanë ftuar. Kjo neve na lënë pa alternativa të tjera, ne nuk është që mundemi me ndejt të heshtur përderisa shteti vazhdon me mbajt konferenca që janë të izoluara e që janë për një audiencë goxha të filtruara të cilët ata vetë i vendosin edhe i injorojnë komplet thirrjet tona”, ka thënë Sijarina.
Sijarina i ka bërë thirrje shtetit që “të mos merret me aktiviste, por me problemet e shoqërisë”.
“Kështu që bëjmë thirrje edhe prej këtu edh prej Qeverisë edhe Presidencës që mos me u marr me neve aktivisteve por me u marr me problemet e kësaj shoqërie dhe që është pasiguria e thellë në të cilën jetojnë vajzat edhe gratë e Kosovës. Bëjmë thirrje edhe një herë që shteti me shpall gjendje emergjente. Dje protestuam për vrasjen e grave dhe sot u quam me një lajm që edhe një grua u vra ne Pejë. Kjo është gjendje që duhet me na alarmua jo vetëm neve por edhe shtetin. Me këtë rast kërkojmë reagim edhe veprim të menjëhershëm. Çdo vonës nga shteti është duke i vrarë vajzat edhe gratë”, ka thënë ajo.