Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë i ka dërguar letër kryeministrit Albin Kurti në të cilën kërkohen të ndërmerren hapa konkretë për reformat në sistemin e shëndetësisë dhe sigurimet shëndetësore.
Në Ditën ndërkombëtare të mbulimit universal me shërbime shëndetësore, Shoqata e të drejtave të Pacientët në Kosovë rikujton kryeministrin Kurti se qe nga takimi i fundit që ata kishin më 12 dhjetor 2019 e deri më tash, shumë pak është vepruar në drejtim të sigurimeve shëndetësore për qytetarët.
“Qeveria sot as nuk është duke e bërë ndonjë matje rreth nivelit të mbulimit të popullatës me shërbime dhe as të nivelit të mbrojtjes nga risku financiar. Sot nuk kemi të dhëna se sa janë nevojat e paplotësuara me kujdes shëndetësor dhe as se sa janë shpenzimet katastrofike të qytetarëve në marrjen e këtyre shërbimeve”, thotë Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës vërehet se për një periudhë pesëvjeçare, shërbimet në kujdesin parësor kanë rënë për mbi 20% ose rreth një milion vizita mjekësore më pak, ndërsa shërbimet stomatologjike kanë rënë për trefish apo mbi 60%. Kjo, sipas Shoqatës, tregon se rritja e buxhetit për shëndetësi nuk po ndikon në përkrahjen e qytetarëve në marrje të shërbimeve.
“Qytetarët ose po drejtohen kah sektori privat dhe barrën e shërbimeve po e marrin vet, ose po heqin dorë nga marrja e shërbimeve, po vazhdojnë jetën me një shëndet më të lig e mbase po lëngojnë e edhe vdesin në heshtje, pa i hetuar sistemi”, thuhet në letrën e Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve në Kosovë.