Në historinë e sportit, ka njerëz që vijnë mes zhurmave, polemikave, dyshimeve… por ecin para me qartësinë e atyre që nuk ndalen nga zhurma, sepse shohin më larg se turma.
Shkruan: Artan Muhaxhiri
Agim Ademi është pikërisht një prej këtyre njerëzve. Ai erdhi në krye të FFK-së në një kohë kur secili kishte një mendim, një kritikë, një verdikt.
Por ai kishte diçka shumë më të fortë: një vizion dhe një cak të pandryshueshëm.Shpesh e targetuam, edhe unë, i madh e i vogël, kur përzgjedhësit nuk ishin të duhurit, kur rezultatet nuk ishin ato që dëshironim, kur emocionet shpërthenin e arsyeja fiket.
Kjo është natyra jonë si shoqëri. Por siç thoshte Nietzsche: rruga e njeriut që krijon është gjithmonë më e vështirë se rruga e atyre që gjykojnë.
Agim Ademi zgjodhi pikërisht rrugën e krijimit. Dhe pikërisht atëherë kur pak kush e priste, kur pak kush mendonte përtej ciklit të radhës të rezultateve, ai solli Franco Fodën, një emër që kishte dëshmuar veten me Austrinë dhe që dukej si një ëndërr e largët për një vend të vogël si Kosova.
Sot, kur Foda po e shndërron Kombëtaren në një projekt serioz e të respektuar, shumëkush harron të përmendë vizionin e njeriut që e solli.
Shoqëria jonë duhet të mësohet se kritika është e shëndetshme, por vetëm kur ka edhe konstruktivitet. Duhet të mësohemi të pranojmë suksesin e tjetrit, ta duartrokasim kur bën lëvizje të mira, të mos kursehemi me lavdërim kur meriton.
Sepse ardhja e Franco Fodës s’ishte rastësi. Ishte një lëvizje e menduar, e shtyrë, e imponuar nga një president që e kishte të qartë se Kosova kishte nevojë për një mendje të ftohtë, një strateg, një arkitekt që e ngre ekipin mbi emocione.Koha po e dëshmon: ishte gjetja e njeriut të duhur, në kohën e duhur.Kosova u bë lajm botëror.Dhe në këtë moment të madh, ka pak rëndësi nëse jemi në Botëror apo jo.
Kosova sot është një ide që ecën përpara.
Një ide që kaloi Slloveninë e Suedinë.
Një ide që po e shtyn kufirin e vet më larg se ç’e kishim imagjinuar.
Dhe pas çdo ideje të madhe qëndron një njeri që guxon.
Bravo Agim. @agimademi_official
Bravo FFK.
Sepse suksesi nuk ndodh.
Suksesi ndërtohet

