Shkrimtari, publicisti e historiani Jusuf Buxhovi takohet me rotarianët e Gjakovës

Shkruan: Blerim Valla

Ishin rotarianët e Gjakovës, të cilët në objektet e qendrës së re të pensionistëve në Gjakovë (donacion ky i Rotary Club – it gjakovar), mbajtën një takim intereaktiv me shkrimtarin, publicistin e historianin e njohur Jusuf Buxhovi. Paraprakisht z. Buxhovi i ka dhuruar qendrës në fjalë mbi 100 libra dhe vepra të ndryshme të tij, duke e pasuruar dhe begatuar këndin e librave në këtë objekt. Këta libra i pranoi kryetari i rotarianëve gjakovar Agron Abrashi.

Historiani dhe shkrimtari Jusuf Buxhovi, i ftuar nga rotarianët gjakovar duke bashkëbiseduar me ta ka shpalosur fakte histografike që lidhen me ndikimin e të pavërtetave nga historianë serbë në historinë shqiptare. Ai ka akuzuar Kosovën dhe Shqipërinë se në tekstet shkollore po fusin gënjeshtra historike. “Sot është një problem shumë i madh sepse këtë çështje, këtë gënjeshtër të tyre e ka pranuar histografia shqiptare, po flas për këtë institucionale dhe këtë të Kosovës, dhe ata gjithkund thonë Car Dushani, Car Llazari , mbreteria mesjetare serbe dhe e kanë inkorporu edhe në tekstet shkollore.

Kjo gënjeshtër vazhdon, ne tash, edhe histografia e Kosovës edhe e Shqipërisë, në tekstet shkollore është shumë skandaloze e shet kët gënjeshtër serbe si një të vërtetë historike që nuk ekziston” . Buxhovi ka kërkuar një qëndrim të përbashkët shkencor të akademive të Kosovës dhe Shqipërisë ku do të trajtoheshin këto tematika dhe të pranoheshin faktet që dihen botërishtë.

Më tutje Buxhovi ka fajësuar Akademinë e Shkencave të Kosovës dhe atë të Shqipërisë, duke thënë se akomodimet politike po i bëjnë që të heshtin karshi këtyre të pavërtetave dhe dëmeve historike.“Kam insistuar shumë herë mirëpo vazhdimisht kam has në kundërshtim sepse janë historianët të cilët e udhëheqin sot Akademinë e Shkencave në Shqipëri dhe Kosovë, pra institucional, janë kryesisht të mendësisë ideologjike. Kanë bërë libra, kanë bërë tituj, një pjesë e tyre janë hy edhe në shërbime të politikës për fat të keq dhe janë akomodu shumë mire materialisht dhe me pozicione të tyre. Poqese do të pranohej diçka e tillë, shumë libra të tyre duhet të zhvlerësohen, dhe shumë tekste shkollore duhet të rishkruhen. Aty ka gjithçka pos shkencës. Ka pedagog të mirë por jo shkencëtar!”

Shkrimtari, historiani dhe ish gazetari e publicisti Buxhovi i pyetur nga të pranishmit pse Kosova sot është vendi i vetëm në Evropë që nuk ka asnjë gazetë, ai u shpreh se në Kosovë gazetaria ka vdekur duke shtuar se kjo vlen në të gjitha vendet ku jetojnë shqiptarët. Z. Buxhovi arsyetoi këtë me faktin se gazetaria është bërë mjet i më të fortit duke aluduar sidomos në partitë politike për blerjen e mediave të ndryshme që më pastaj i shfrytëzojnë për qëllimet e tyre.

Ndërsa duke folur për gjendjen e kulturës në Kosovë, Buxhovi u shpreh “Në këtë periudhë të pasluftës ka ndodhur një akulturim i madh. Sepse në vendet kyqe të kulturës janë vënë njerëzit politikë që shumë pak marrin vesh me art dhe kulturë! Ja psh Gjakova qytet me personalitete të njohura dhe tënshumta në këtë fushë dhe qyteti me më shumti shkrimtarë në tërë hapësirën shqiptare, sot e 24 vite është lënë anash dhe ngjan në shkretëtire kulturore!”

Përndryshe me veprat e tij Jusuf Buxhovi ka arritur të ndërtojë një opus të gjërë si vepra letrare, publicistike dhe historiografike.

Vepra letrare e Jusuf Buxhovit ka nis me librin me tregime “Cirku” (1972), për të plotësuar pastaj si një opus të madh ku përfshihen tregimtaria, novela, romani e drama.
Pjesën më interesante të Jusuf Buxhovit e përbën edhe publicistika e tij e përmbledhur në librin “Fletëza gjermane” (2008).

Kurse një kapitull i veçantë i veprimtarisë se tij shkencore e intelektuale përfaqëson vepra e tij historiografike, që si kulm është vepra voluminoze në disa vëllime ”Kosova 1 2 3” më vonë e plotësuar edhe me pesë vëllime të tjera. Pra historia e Kosovës si pjesë e historisë shqiptare e shikuar nga një këndvështrim i ri ku përjashtohen stereotipet e deritanishme. Vepër kjo që u përkthye dhe u botua ne SHBA në gjuhën angleze.

Me veprën historiografike dhe me vëllimet nga proza artistike , tregime, novela, drama, kritikë letrare, romanet e njëpasnjëshme të karakterit historik, me publicistikën dhe veprat historiografike, ka ndërtuar një opus fenomenal prej një krijuesi dhe mendimtari të angazhuar e te guximshëm në mënyrë permanente. Rezultat i angazhimit të tij si mendimtar është edhe veprimtaria e tij poliedrike ku si majë e piramidës qëndron intelektualizmi i tij që është jetësisht i lidhur me proceset dhe ngjarjet historike e kulturore të vendit. /KultPlus.com