Lubisha Ceroviq, një serb me prejardhje nga fshati Bellopojë i komunës së Pejës, ka mbi 20 vjet që po mundohet ta kthejë tokën e familjes së tij, që i ishte shitur, siç thotë, ilegalisht pas luftës në Kosovë, derisa ai dhe familja ishin shpërngulur në Serbi.
Këtë nuk arriti ta bëjë as pas një vendimi të gjykatës së Kosovës në favor të tij.
Ai thotë se toka e familjes në rrugën magjistrale Pejë-Deçan, u shit përmes një autorizimi të rrejshëm, me emrin e gjyshit të tij, që në atë kohë ishte i vdekur.
Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, thotë se janë disa raste të ngjashme brenda kësaj komune.
Çështjet pronësore të ndërlidhura me tensione etnike në Kosovë janë përmendur edhe në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut të vitit 2023, të publikuar më 22 prill. Në veçanti, ky raport thekson se disa përfaqësues të serbëve të Kosovës pohuan se institucionet qeveritare “dështuan të ekzekutojnë vendimet e gjykatës në favor të serbëve të Kosovës, veçanërisht në kontestet pronësore”
Probleme me pronën e uzurpuar kanë edhe shqiptarët e Kosovës, e posaçërisht ata në qytetin e ndarë të Mitrovicës.
Në mesin e tyre është Shyqri Çeliku, i cili për 25 vjet nuk arriti ta rikthejë banesën e tij në pjesën veriore të Mitrovicës.
Sipas një raporti të organizatës ndërkombëtare për të drejta të njeriut, Human Rights Watch (HRW), të publikuar më 2001, shkalla e shkatërrimit të pronave civile nga forcat qeveritare serbe më 1999 ka qenë shumë e madhe.
Në raport citohet një sondazh i Zyrës së Komisionarit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR), sipas të cilit, pothuajse 40 për qind e të gjitha shtëpive të banimit në Kosovë ishin dëmtuar rëndë ose ishin shkatërruar plotësisht.