Viti 2022, shënoi një ndër vitet më të rënda për Kosovën në aspektin ekonomik. Kriza botërore e vitit të kaluar e cila u cilësua si më e keqja pas krizës së naftës në fillim të viteve shtatëdhjetë, duke prishur zinxhirët globalë të tregtisë, prodhimit dhe konsumit, pati një impakt të frikshëm në vend.
Inflacioni, përveç që arriti shifrat dyshifrore, preku nivelet e krizës së vitit 2008. Kjo shkaktoi një rritje gati të paprecedentë të produkteve bazë si shkak-pasojë e mungesës së politikave konkrete që potencialisht do të ballafaqonin inflacionin.
Sipas një ankete të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për Buxhetin e Ekonomive Familjare për vitin 2022, 78.5 për qind e familjeve në Kosovë kanë vështirësi në mbulimin e shpenzimeve për strehim dhe banim. 40.7 për qind prej tyre e kanë barrë te rendë.
Pjesa më e madhe e buxhetit të ekonomive familjare që shfrytëzohet për ushqim dhe pijet joalkoolike është 4 mijë e 389 euro. Aty më tej thuhet se ushqimi dhe pijet joalkoolike përbëjnë komponentin bazë të konsumit të përgjithshëm me 55 për qind.
Ndonëse pse pjesë e krizës ekonomike ishin edhe vendet e tjera të rajonit, më së shumti e pësuan xhepat e qytetarëve të Kosovës. Këtë e dëshmon edhe një postim i ekspertit ekonomik Edison Jakurti në Facebook, i cili i krahasoi këto statistikame ato të vendeve të rajonit dhe me mesataren e Bashkimit Europian.
Jakurti ka vërejtur një ndryshim të madh në përqindje mes Kosovës dhe vendeve rajonit.
Në bazë të grafikonit të paraqitur nga z. Jakurti, i cili krahason shpenzimet me vendet e rajonit dhe Bashkimit Evropian, shpenzimet e larta për ushqim dhe pije joalkoolike Kosovë gjatë vitit 2022 rezultojnë shumë më të larta sesa vendet e tjera të rajonit.
Sipas tij, arsyeja kryesore e këtyre shifrave është inflacioni. Megjithatë, Jakurti ka argumentuar se një arsye për këtë dallim kaq të lartë krahasuar me vendet e tjera është mungesa e “politikave efektive”.
“Pse ky ndryshim kaq drastik? Arsyeja kryesore është inflacioni. Nëse e dekompozojmë këtë ndryshim, më shumë se gjysma e tij shpjegohet nga rritja enorme e çmimeve përgjatë vitit 2022. Por, shkallë të lartë të inflacionit kishte edhe në rajon, edhe në BE. Pse nuk ndodhi një ndryshim i tillë në këto vende? Arsyet mund të jenë të ndryshme por, ajo që dimë me siguri është se në Kosovë munguan politikat efektive për zbutjen e ndikimit negativ të inflacionit.” – ka shkruar Jakurti.
Në këtë kontekst ai insistuar në vendosjen e ‘çmimeve tavan’, një nismë e pushtetit cila së fundi u bllokua nga Gjykata Kushtetuese, nën argumentin e përgjithshëm se kjo përbën “ndërhyrje në ekonominë e tregut të lirë.
“Vendosja e çmimeve tavan nuk ishte politika e parë që do t’duhej të mendohej por, në kushtet e Kosovës, ishte ndër kryesoret që do të mund të ndikonte në zvogëlimin e keqpërdorimeve të brendshme. Ajo nuk u bë dhe tash mbetet të menaxhohen pasojat, një ndër të cilat mund të jetë edhe ky trendi i tmerrshëm i grabitjeve e plaçkitjeve.” – tha ai më tej. /Flakon Demaku – Nacionale