Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin që Qeveria e re e Serbisë që do zgjidhet pas zgjedhjeve të 17 dhjetorit, do të vazhdojë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe, O’Brien tha se SHBA pret ulje të tensioneve në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.
“Është një zonë ku forcat e KFOR-it, NATO-s janë forcuar. Dhe, misioni evropian, EULEX, gjithashtu ka qenë shumë aktiv kohën e fundit. Prandaj, asnjëra palë nuk ka arsye të shkaktojë tensione atje dhe ajo zonë duhet të qëndrojë e qetë”, tha ai.
Kthimi i serbëve në institucionet publike është një nga hapat që O’Brein përmendi për uljen e tensioneve.
“Qytetarët serbë të Kosovës që jetojnë në atë rajon duhet të mirëpriten përsëri në institucionet publike dhe kjo do të zvogëlojë tensionet. Dhe, pastaj, sinqerisht, të dyja palët kanë një punë të madhe për të bërë, për t’u siguruar që të vazhdojnë rrugën e normalizimit për të cilën u pajtuan në mars, në Ohër. Kështu që ka punë për t’u bërë”, tha ai.
O’Brien tha gjithashtu se SHBA do të vazhdojë të theksojë se sa e rëndësishme është “përfundimi i kësaj pune në muajt e ardhshëm”.
“Ekonomitë e tyre tashmë janë të lidhura me Bashkimin Evropian dhe tani ata duhet të zbatojnë reforma dhe të angazhohen për të qenë pjesë e atij komuniteti. Dhe derisa e bëjnë këtë, unë mendoj se tensionet do të ulen dhe ata do të kenë një marrëdhënie më të madhe”, tha ai.