Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë thënë në Kombet e Bashkuara se Presidenti Donald Trump nuk do të tolerojë vrasjen e civilëve të pafajshëm në rrugët e Iranit.
Kështu tha përfaqësuesi i SHBA-së në OKB, Mike Waltz, gjatë debatit në Këshillin e Sigurimit.
Waltz tha se niveli i dhunës dhe represionit të shkaktuar nga regjimi iranian kundër popullsisë së vet ka “implikime për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”.
“Kjo kërkon vëmendjen e këtij këshilli”, theksoi ai.
Sipas tij, qytetarët e Iranit po kërkojnë liri si kurrë më parë.
“Njerëz të paarmatosur, paqësorë që e duan vendin e tyre po dalin në rrugë për të realizuar aspiratat e tyre legjitime për një të ardhme më të mirë”, tha ai.
Ai shtoi se Presidenti Donald J. Trump dhe Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me popullin e guximshëm të Iranit.
“Pavarësisht nga justifikimet që ofron regjimi, ai është përgjegjës i vetëm për mjerimin ekonomik të popullit iranian dhe do të mbahet përgjegjës për të”, tha Waltz.
Duke iu referuar mbylljes së internetit në Iran, Waltz shtoi se falë sistemit Starlink, publiku ndërkombëtar ka vetëm “një pasqyrë të kufizuar të krimeve që po ndodhin atje”.
“Trump ishte i qartë – ai nuk do të tolerojë, dhe as bashkësia ndërkombëtare, masakrimin e njerëzve të pafajshëm në rrugë”, tha përfaqësuesi i SHBA-së.
Së fundmi, Waltz përsëriti se Trump “e bëri të qartë se të gjitha opsionet janë në tryezë” me qëllim që, nga pikëpamja amerikane, të ndalojë gjakderdhjen në Iran./The GeoPost
