SHBA kritikon Kosovën dhe Serbinë: Ka shpesh veprime eskaluese dhe të pakoordinuara që e vonojnë progresin

Përfaqësuesi i Shteteve të bashkuara të Amerikës Robert A Wood gjatë debatit për situatën në Kosovë ka thënë se rajoni ka bërë progres por ka përmendur “veprime eskaluese dhe të pakoordinuara nga të dyja palët, Serbia dhe Kosova që e vonojnë atë”.

Tutje, ai ka folur për sulmin në Banjskë duke thënë se janë 6 muaj më vonë “Serbia s’ka bërë përparim thelbësor për t’i mbajtur përgjegjës personat e involvuar, përfshirë edhe liderin e vetëshpallur të sulmit Milan Radojiciq.

“Kërkojmë përgjegjësi të plotë në përputhje me sundimin e ligjit. Është kritike që Serbia të punojë me KFOR’in që të parandalohet edhe një sulm si ai i 24 shtatorit, që të mos ndodhë përsëri” ka theksuar ai.

Tutje, përfaqësuesi amerikan ka përmendur edhe ngjarjet e 17 Prilli kur Serbia ndaloi qytetarë nga Kosova që po kalonin nëpër territorin e saj.

“Jemi shumë të brengosur për ndërprerjen e lirisë së lëvizjes për qytetarët në Serbi më 17 prill dhe ndalimin e qytetarëve kosovarë përfshirë serbët etnikë që shërbejnë në Policinë e Kosovës. Ky veprim ishte shkelje e marrëveshjeve të kaluara të lirisë së lëvizjes dhe formë kërcënimi ndaj serbëve të Kosovës që marrin pjesë në jetën civile në Kosovë” ka thnë ai.

Përfaqësuesi amerikan po ashtu ka thënë se SHBA është e brengosur për veprimet e fundit të pakoordinuara të qeverisë së Kosovës përfshirë atë për rregulloren e amendamentuar të BQK’së për pagesa me para të gatshme.

“Është në shpërputhje me zotimin e Kosovës për dialogun e lehtësuar nga BE. Këto veprime afektojnë komunitetet e cenuara joshumicë dhe e minojnë normalizimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Më tej ai ka thënë se të dyja palët duhet të marrin hapa konkretë për t’i përmbushur të gjitha zotimet në kuadër të dialogut përfshirë gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e valutës dhe përparim në themelimin e Asociacionit.

Wood ka folur edhe për zgjedhjet në Veri duke thënë se i vjen keq për mospjesëmarrjen e Listës Srpska dhe përfaqësuesve tjerë duke thënë se në këtë rast kryetarët e zgjedhur mbesin në postet e tyre sipas ligjit. Wood po ashtu ka përmendur se mandati i UNMIK duhet të shkojë drejt përfundimit.