Aleatët e kanë shtuar presionin ndaj Kosovës për Asociacionin para votimit për anëtarësim në Këshill të Evropës në Komitetin e Ministrave, i cili do të mbahet më 16 dhe 17 maj.
Shtete e Bashkuara të Amerikës, Franca dhe Gjermania i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës që të bëj hapa konkret në zbatimin e marrëveshjes së Asociacionit.
Me këtë hap konkret po nënkuptohet dërgimi i draft-statutit të Asociacionit për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese para mbledhjes së Komitetit të Ministrave të KiE-së.
I fundit që ka kërkuar hapa urgjent për Asociacionin ka qenë ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Jim O’Brien, i cili këtë javë është takuar më kryeministrin Albin Kurti.
Pas takimit, në llogarinë e tij në platformën “X” ai ka shkruar se Kosova duhet të veprojë në këtë drejtim.
“SHBA-të mbështesin rrugën e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike. Për të ecur përpara, ne kemi nevojë për zbatimin e zotimeve të ndërmjetësuara nga BE-ja, duke përfshirë përparimin urgjent në Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Kam diskutuar hapat pozitivë të nevojshëm me kryeministrin e Kosovës Kurti sot”, ka shkruar O’Brien në “X”.
Edhe më konkret ka qenë presidenti i Francës, Emanuel Macron.
Në një telefonat që ka pasur me kryeministrin Kurti, ai e ka ndërlidhur anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës me dërgimin e Asociacionit në Kushtetuese.
“Presidenti i Republikës përshëndeti zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit. Megjithatë, ai nënvizoi rëndësinë që Franca i kushton, edhe në kontekstin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, progresit të shpejtë dhe të pakthyeshëm në zbatimin nga autoritetet kosovare të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, ka thënë Presidenca e Francës.
Por, qëndrimi i kryeministrit ka qenë pak më ndryshe.
Në llogarinë e tij në platformën “X”, ai ka shprehur besimin e tij se Franca do ta mbështes anëtarësimin e Kosovës në KiE.
“Në një telefonatë me presidentin Macron, e falënderova për mbështetjen e palëkundur të Francës për Kosovën dhe shpreha besimin tonë se Franca do ta mbështesë ofertën e Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës pa parakushte të mëtejshme, në përputhje me votimin historik të Asamblesë Parlamentare. Gjithashtu insistova në respektimin dhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazë”, ka shkruar Kurti.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka treguar se çka nënkupton hapi i prekshëm.
Në një intervistë për emisionin “Interaktiv”, ai ka thënë se aleatëve të Kosovës iu duhet një hap i prekshme për Asociacionin para votimit në KiE.
“Ju duhet ta bëni atë. Dhe ajo që na duhet është një hap i prekshëm. Jo zbatimi. E kam thënë edhe në një intervistë tjetër së fundmi. Zbatimi i plotë është pjesë e Marrëveshjes së Ohrit. Por nëse doni të hyni diku, ju duhet ta bëni një hap të prekshëm”, ka thënë Rohde.
Kur është pyetur se çfarë nënkupton një hap i prekshëm, ai ka thënë “Ta dërgoni këtë statut të Asociacionit te Gjykata Kushtetuese për rishikim”.
Qeveria ende pa qëndrim
Qeveria e Kosovës ende nuk ka treguar nëse draftin e Asociacionit do ta dërgon në Gjykatë Kushtetuese para votimit në Komitetin e Ministrave.
Një gjë të tillë nuk e ka thënë as zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.
Në seancës e djeshme të Kuvendit ajo ka thënë vetëm se Kosova ka ende punë për të bërë.
“Mbetet ende punë për të bërë, ndoshta deri në maj, por ndoshta edhe në një moment tjetër, e rëndësishme është që vota prej 82 për qind është konfirmim i fuqishëm që Kosova është një shtet me demokraci të konsoliduar.”, është shprehur Gërvalla.
As Gërvalla se as zyrtarët e tjerë qeveritarë nuk janë përgjigjur në pyetjen e deputetes së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, për këtë çështje.
“Kosova këto ditë e kishte një lajm të mirë, sepse është më afër anëtarësimit në KiE. Por, kjo qeveri duhet me qenë transparente, a është edhe një parakusht, a duhet të bëhet edhe Zajednica, tregoni këto, jeni transparent me publikun, me qytetarët e Kosovës.”, ka pyetur ajo.
Pro, Ministri për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq, beson se Qeveria do ta dërgojë Draftin e Asociacionit në Kushtetuese, para mbledhjes së Komitetit të Ministrave.
“Besoj që po, mendimi është besoj që po sepse ju po se po si pjesëmarrës të Këshillit të Evropës, e keni obligim fuqizimin e implementimit të ligjit ku duhet me kanë në nivel ma prioritar. Kjo shkon sikur me thanë një me tjetrin. Kjo është nënshkruar që moti, 2013-2015, domethënë obligimet që keni marrë, ju keni pa vetë sikur Vuçiqit i ka dhimtë dora pas Ohrit, kjo është pjesa për afrimin në Bashkimin Evropian”, ka thënë Rashiq në TV Dukagjini.
Sipas tij, pesha e këtij veprimi është e madhe.
“A dhemb a nuk dhemb dora, nuk ka rëndësi, me rëndësi është që kjo ka peshë më të madhe dhe duhet të ndodhë, mbetet obligim i Kosovës”, është shprehur ai.