ShBA-ja “e zhgënjyer” me thirrjet e Listës Serbe që serbët të bojkotojnë regjistrimin e popullsisë

Departamenti amerikan i Shtetit kanë shprehur “zhgënjimin” në lidhje me thirrjet e Listës Serbe që qytetarët serbë të Kosovës të bojkotojnë procesin e regjistrimit të popullsisë, në një përgjigje për Radio Evropa e Lirë.

“Ne inkurajojmë të gjithë qytetarët e Kosovës që të marrin pjesë plotësisht në regjistrimin e popullsisë. Një regjistrim i saktë mundëson shpërndarjen e drejtë të burimeve shtetërore për të gjithë qytetarët. Ne njohim përgjegjësinë dhe autoritetin e Qeverisë së Kosovës për të zhvilluar procesin e regjistrimit të popullsisë”, tha një zëdhënës i DASH-it.

Lista Serbe bëri të ditur të premten se serbët e Kosovës do të bojkotojnë regjistrimin e popullsisë në Kosovë i cili filloi me 5 prill.

“Proceset e organizuara nga [kryeministri i Kosovës, Albin] Kurti do të ishte poshtërimi më i madh për popullin tonë, në kohën kur i njëjti ua mohoi serbëve të drejtën për pensione dhe paga, pengoi funksionimin normal të shëndetësisë dhe përfitimeve sociale, hoqi të drejtën e votës, arrestoi dhe persekutoi Serbët, e pushtoi komunat me forcë, militarizuan veriun e Kosovës”, thuhej mes tjerash në reagimin e Listës Serbe.