ShBA-ja dhe Britania e Madhe japin garanci që nuk do të ketë një “Bajnskë të dytë”

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe kanë dhënë garanci të forta që një skenar si ai i 24 shtatorit në Bajnskë nuk do të përsëritet. Deklarata të tilla janë dhënë nga zyrtarë të lartë të të dy aleatëve tanë.

Fillimisht, gjatë vizitës së tij në Kosovë, sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron deklaroi që sulmi ka qenë shumë shqetësues dhe duhet të bëhet gjithçka që të parandalohet një gjë e tillë.

Ndërkaq, nëse ndodhë, sipas tij duhet të luftohet.

“Çfarë ka ndodhur këtu në shtator është ekstremisht shqetësuese dhe ne duhet të bëjmë cdo gjë që të mundemi që ta parandalojmë atë që të mos përsëritet dhe ta luftojmë nëse ndodh përsëri. Kosova është shtet sovran i pavarur që dëshiron stabilitet, siguri dhe të ardhme dhe Britania po ndihmon me të gjitha këto dhe është e drejtë që ne e bëjmë.” – ka thënë ai.

Në anën tjetër, James O’Brien, ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, në një bashkëbisedim me gazetarë, po ashtu e përmendi ngjarjen e shtatorit të kaluar.

Ai tha se të dyja palët tashmë, pra Kosova dhe Serbia, e kuptojnë që nuk duhet të lejohet që të përsëritet një skenar i tillë.

“Po ashtu komunikimi dhe bashkëpunimi me Beogradin na ka lejuar një lloj qetësimi të situatës. Ne presim që kjo të vazhdojë dhe në muajt në vijim presim më shumë transparencë dhe diskutime. Kjo është shumë e rëndësishme veçmas pas ngjarjeve shtatorin e kaluar, kur një grup tentoi të dërgonte një sasi armësh që do të shkaktonin dhunë të madhe, nëse ata do të mund të çonin në fund planet e tyre. Mendoj se kjo është diçka që të dyja palët e kuptojnë se nuk do të lejohet të ndodhë dhe askush nuk dëshiron që kjo të përsëritet.” – u shpreh O’Brien.

Në anën tjetër, hetimet për Bajnskën nuk kanë përfunduar ende, të paktën për komunitetin ndërkombëtar.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po vazhdojnë vlerësimin e situatës që solli sulmin e terrorist të 24 shtatorit në veri të Kosovës ku u vra zyrtari policor kosovar, Afrim Bunjaku. Sipas detajeve të fundit të dhëna nga ambasadori amerikan, vlerësimi po vazhdon dhe nuk ka përfunduar ende.

Këto deklarata ai i bëri para pak ditësh nga Mitrovica, ku mes tjerash, u pyet edhe për atë që u cilësua si hetim i ShBA-së për sulmin e 24 shtatorit.

Hovenier bëri me dije që vlerësimi i tyre mbështet kryesisht në informacione të dhëna nga Qeveria e Kosovës, por jo vetëm.

“Ne kemi bërë vlerësimin tonë për atë që ka ndodhur (në Bajnskë), që kryesisht mbështetet në informacione të Qeverisë së Kosovës, por jo vetëm. Ky vlerësim po vazhdon ende dhe dua të përsëris që ata që janë përgjegjës për këtë sulm, duhet të mbahen përgjegjës.” – u shpreh ai./Nacionale