Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhuruar Kosovës një skaner në vlerë prej 3 milionë dollarë, i cili do të vendoset në pikën kufitare në Merdare.
Përmes një postimi në faqen zyrtare, Ambasada amerikane ka njoftuar për këtë donacion, duke shtuar se ShBA është krenare që ndihmojnë në forcimin e sigurisë kufitare të vendit.
E Ngarkuara me Punë e ambasadës amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, bashkë me ministrat në detyrë, Xhelal Sveçla e Hekuran Murati, kanë përuruar këtë investim sot në Merdare.
“Lufta kundër trafikimit të paligjshëm dhe parandalimi i përhapjes së mallrave të falsifikuara i bën bizneset amerikane dhe kosovare më të forta dhe më të begata. Kjo është arsyeja pse Shtetet e Bashkuara janë krenare që forcojnë sigurinë kufitare të Kosovës përmes një skaneri Rapiscan, prodhim amerikan, në vlerë prej 3 milionë dollarësh. Kjo teknologji rrit aftësitë e zbulimit, mbështet tregtinë e ligjshme dhe avancon interesat e përbashkëta të sigurisë dhe ekonomisë”, thuhet në postim.
