Superfuqi nuk kanë, por sfidën e supermenit e provuan.
Në shkollën fillore “Vëllezërit Frashëri”, të komunës së Lipjanit, nxënësit tentuan t’u ngjajnë superheronjve të filmave të animuar.
Si pasojë e kësaj sfide e cila tashmë është virale në platformën “Tiktok”, një nxënëse e klasës së 9-të, të mërkurën, pësoi frakturë në dorë.
“Ne si drejtori e kemi vërejtë se është prezent, i kemi marrë të gjitha hapat për parandalimin e saj. Kemi marrë masa me paralajmërim të nxënësve. Fatkeqësisht është i paraqitur një rast, kur një vajzë u lëndua në krah duke luajtur”, tha Jakup Bahtiri, drejtor i shkollës “Vëllezërit Frashëri”.
Njësoj si ta vepruan edhe nxënës të një shkolle tjetër.
“Drejtorat e kanë udhëzimin e zbatohet, por është problem konfiskimi i telefonave. Është edhe përgjegjësi e prindërve mos me iu lanë telefona. Po ata e kanë pa lojën e në raste të caktume u provu”, tha Hasani.
Kjo nuk është hera e parë që në shkollat e Lipjanit lëndohen nxënësit, duke realizuar sfida nga “Tiktoku”.
Muaj më parë, shumë nxënës të komunave të ndryshme pësuan lëndime edhe nga sfida “Selfharming”.
Në hall me realizimin e këtyre sfidave, janë edhe shkollat e vendeve të Rajonit, Shqipëri, Maqedoni e Veriut dhe Serbi. /atvlive.tv
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë: