“S’është përbindësh, veç shërbime komunale”: Qëndrimet e fundit të ShBA-së e BE-së për Asociacionin

Përkundër tensioneve në veri të Kosovës, çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe vazhdon të mbetet një nga temat më të diskutuara në raportet mes Kosovës dhe Serbisë. Ndërkombëtarët, pra ShBA-ja dhe BE-ja, herë pas here vazhdojnë të tregojnë qëndrimet e tyre rreth Asociacionit, e cila u përfshi edhe në marrëveshjen e Ohrit, që u arrit muaj më parë.

Gabriel Escobar, i dërguar i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, ka dhënë një intervistë relativisht të gjatë për Zërin e Amerikës, ku ka folur për situatën e tensionuar në veri të Kosovës, përfshirë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Në këtë intervistë, Escobar e rithkesoi deklaratën e tij tashmë të përsëritur disa herë, se Perëndimit nuk po kërkon asgjë më shumë se një Asociacion të modelit evropian.

Qëndrimi ynë është se duhet të jetë një model evropian. Pra, qëndrimi ynë, qëndrimi amerikan, ka qenë gjithnjë se modeli i asociacionit duhet të jetë i tillë që të ofrojë shërbime komunale për një pakicë kombëtare të gjuhës serbe. Kaq – shërbime komunale.” – deklaroi Escobar.

Escobar ishte i qartë në lidhje me Asociacionin, duke treguar se një organizëm i tillë nuk duhet të ndërhyjë në Kushtetutën e Kosovës. Pra, sipas Escobarit, Asociacioni nuk duhet të pengojë funksionalitetin e Kosovës.

“Ajo nuk duhet të ndërhyjë me kushtetutën e Kosovës, strukturën e saj ligjore, apo funksionalitetin e saj. Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian u ka dhënë 16 lloje të ndryshme modelesh evropiane, që do të funksiononin për Kosovën. Në asnjë nga ato modele nuk mundet, që një vend fqinj të hyjë brenda kufijve të një vendi tjetër dhe të pengojë funksionalitetin e tij. Pra, nuk po kërkojmë një mjet matematikor midis dy qëndrimeve. Kërkojmë një version evropian. Pra, atij nuk i duhet asgjë më shumë se kjo.” – deklaroi ai.

Ndërsa Miroslav Lajçak, i dërguar i posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, dje foli për çështjen e Asociacionit. Në një intervistë për “Këshillin Atlantik”, ku mori pjesë edhe Escobar, Lajçak vlerësoi se Asociacioni duhet të jetë sipas modeleve evropiane. Madje, diplomati evropian theksoi se BE-ja sigurohët që të mos krijohet një përbindësh.

“Besoj te BE-ja, te modelet evropiane. Duam që bashkërisht të hartojmë statutin, që do të bazohej në modelet më të mira evropiane. Ne kemi analizuar 16 modele evropiane. Të sigurohemi që të krijojmë diçka që nuk është një përbindësh, por që funksionon për Kosovën dhe Serbinë.” – deklaroi Lajçak.

Ndryshe, kryeministri Albin Kurti e ka konfirmuar një takim të nivelit të lartë në Bruksel. Në një cicërimë në Twitter, Kurti ka treguar se do të udhëtojë nga Roma në Bruksel, duke dhënë informacione se çfarë do të kërkojë në takimin në kryeqendren e BE-së.

“Përcaktova itinerarin tim për të shkuar në Bruksel nga Roma nesër, duke konfirmuar pjesëmarrjen time në takimin e dialogut të nivelit të lartë të thirrur nga HR/VP Borrell. Do të insistojë për lirimin urgjent pa kushte të 3 policëve të mbajtur peng nga Serbia, deeskalimin dhe normalizimin e marrëdhënieve.” – ka shkruar Kurti në Twitter.