Serbia nuk merr pjesë, dështon takimi në Bruksel i Komisionit të përbashkët për të pagjeturit

Kryetari i komisionit për të pagjeturit, Andin Hoti ka njoftuar se sot nuk është realizuar takimi i Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur në Bruksel, ashtu siç është paralajmëruar.

Siç njofton ai, takimi nuk u realizua për shkak të refuzimit të Serbisë për të marrë pjesë në këtë takim, edhe pse takimi kishte qenë planifikuar para dy javëve.

“Kryenegociatori i Serbise ishte i pranishem në Bruksel, pavarësisht që nuk e kam të qartë cfare ka kërkuar aty, pasi që takimi ka qenë i paraparë vetem për ceshtjen e Personave te Zhdukur, dhe formati ka qenë me zëvendësues te Komisioneve”.

Hoti pretendon se Petkoviç e garantoi dështimin e këtij takimi.

“Prania e z. Petkoviç në Bruksel është dëshmia më e qartë se pikërisht ai orkestroi dhe garantoi dështimin e takimit të paraparë, duke e kthyer një proces teknik jetik në një mjet të turpshëm të politizimit dhe obstruksionit. Arsyetimi i Serbisë për mospjessëmarrje në takim përvec që banal është edhe i dëmshem për procesin e zbardhjes se fatit të personve të zhdukur, dhe nuk ka të bëjë asgje me temen që sot janë thirrur në Bruksel.

Kjo demonstron për të satënherë mungesën e gatishmërisë së Serbisë për të bashkëpunuar në këtë çështje të rëndësishme. Kjo tregon edhe njëhërë politizimin e tejskajshëm të Serbisë në raport me ceshtjen e personve të zhdukur”.

Tutje, Hoti njofton se delegacioni i Kosovës ka mbajtur takime me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe ka parashtruar kërkesat e veta sipas agjendës së parashikuar, “dhe për këtë kemi marrë njoftimin nga z. Lajcak që do të raportohet konstruktiviteti ynë dhe kërkesat tona tek vendet anëtare të BE-së”.

“Ne vazhdojmë të kërkojmë një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme për çështjen e Personave të Zhdukur, duke shpresuar në bashkëpunimin e plotë të të gjitha palëve të përfshira”, vazhdon më tej Hoti.