Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill, të martën ka befasuar me deklaratën e tij se Serbia është aktualisht një partner më i afërt i NATO-s sesa Kosova. Kjo deklaratë ka ngjallur reagime të shumta në Kosovë.
Ka qenë presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ajo e cila i është kundërpërgjigjur Hillit, duke thënë për mediat se është vetëm një shtet që është më larg NATO-s sesa Serbia dhe ‘ajo është Rusia e [presidentit, Vladimir] Putinit’.
Ajo theksoi se Serbia është një shtet që fle mbi varreza masive dhe se nëse dikush e konsideron atë si aleate të NATO-s, nuk i ofendon vetëm shtetet anëtare të kësaj organizate, por të gjitha “viktimat e Serbisë së Millosheviqit”.
“Ekziston vetëm një shtet që është më larg NATO-s se Serbia, e ai shtet është Rusia e Putinit. Një shtet si Serbia, që vazhdimisht ka shkelur vlerat kryesore mbi të cilat qëndron NATO, mbrojtjen nga forcat autoritare, mbrojtjen nga shtetet që shkelin rregullat bazike të së drejtës ndërkombëtare, lëre më që është larg NATO-s, por as që mund të ëndërrojë një ditë të jetë pjesë e NATO-s”, tha Osmani.
Reagim pati edhe nga i Dërguari i Posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili ka thënë se SHBA-ja mirëpret angazhimin pozitiv të Serbisë me NATO-n.
“SHBA-ja mirëpret angazhimin pozitiv të Serbisë me NATO-n. Në të njëjtën kohë në theksojmë se Kosova ka marrëdhënie të shkëlqyera me NATO-n nëpërmjet KFOR-it dhe NALT dhe ka marrëdhënie të shkëlqyera të sigurisë me shumë aleatë të NATO-s, përfshirë SHBA-në“, ka thënë ai të enjten për Reporterin.
Deklaratën e Hill e komentoi edhe homologu i tij në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.
Ambasadori Hovenier tha se dëshiron që të kundërshtojë të gjithë ata që bëjnë krahasime të kësaj natyre.
“Ne do të bëjmë çdo gjë që ta përkrahim këtë. SHBA-ja ka investuar shumë energji dhe është angazhuar shumë për të përkrahur Kosovën e FSK-në në tranzicionin e saj…Kosova përballet me sfidën, që disa shtete të NATO-s nuk e njohin siç e njeh SHBA-ja e partnerët tjerë. Duam të shohim këtë të ndryshojë, dhe dua të kundërshtojë ata që duan të bëjnë krahasime. Duam të shohim që të avancojë e ardhmja e Kosovës në NATO. Kosova është shumë mirë me NATO-n sa i përket vlerave e institucioneve. Ka probleme e çështje që duhet zgjidhur, dhe ne presim që Kosova një ditë të bëhet anëtare e plotë e NATO-s”, tha përfaqësuesi diplomatik amerikan në Kosovë.
Me atë se çfarë tha diplomati amerikan në Serbi, u pajtua edhe gjenerali i pensionuar amerikan, Ëesley Clark, i cili kishte qenë komandat suprem i forcave aleate të NATO-s gjatë bombardimeve të caqeve serbe për shkak të spastrimit etnik në Kosovë.
“Mendoj se ajë që thotë ai është absolutisht e vërtetë. Nuk mund të flas me detaje sepse nuk jam pjesë e asaj marrëdhënieje. Unë i shoh gjërat nga jashtë. Por ambasadori Hill duket se ka bërë një punë të mirë për të forcuar këtë marrëdhënie dhe për të çuar përpara raportet mes Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë. Dhe kjo është detyra e tij si ambasador. Nëse kjo është (një marrëdhënie) më e fortë apo më e dobët se sa marrëdhënia e Kosovës me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n, këtë nuk mund ta them, sepse i shoh gjërat nga jashtë”, ka thënë Clark në një intervistë për Zërin e Amerikës.
Autoritetet në Kosovë vazhdimisht kanë shprehur aspiratën e tyre për t’u anëtarësuar në NATO dhe fillimisht po kërkojnë që të bëhen pjesë e Programit për Partneritet për Paqe.
Partneriteti për Paqe është program i bashkëpunimit praktik dypalësh ndërmjet shteteve partnere euroatlantike dhe NATO-s. Ky program, që është krijuar më 1994, u lejon shteteve që të zgjedhin vetë prioritetet për bashkëpunim.
NATO ka thënë se ky program ka për qëllim të rrisë stabilitetin, të ulë kërcënimet për paqe dhe të ndërtojë raporte më të forta të sigurisë ndërmjet partnerëve dhe NATO-s.
Partneriteti për Paqe përfshin shumë fusha të aktivitetit të NATO-s, sikurse: puna e lidhur me mbrojtjen, forumet e mbrojtjes, trajnimet, stërvitjet ushtarake, planifikimet për përgjigje të emergjencave civile dhe katastrofave të tjera, por edhe bashkëpunimin në shkencë dhe mjedis. Në përgjithësi janë afër 1.600 aktivitete.
Pikërisht, në kuadër të këtij programi, më 1999 disa shtete dërguan forca paqeruajtëse Kosovë në kuadër të misionit të aleancës në Kosovë, KFOR. Atëbotë ishin vendosur në Kosovë afër 50.000 ushtarë nga 36 vende të botës, prej të cilëve 30.000 ishin të shteteve të NATO-s.
Aktualisht, KFOR-i ka mbi 4.700 trupa në Kosovë, përfshirë edhe forcën rezervë.