Sekretari i Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, Nemanja Staroviq, thotë se Turqia po punon intensivisht në armatimin, trajnimin dhe pajisjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, raportojnë mediat serbe.
Sipas tij, shërbimi sekret serb ka informata se Turqia i ka dhuruar Kosovës dronë, sisteme anti-tankë, mortaja dhe lloje të tjera të armëve, çka, siç citohet të ketë thënë ai, “e shkel Rezolutën 1244”. Për këtë, ai thotë se i kanë çuar një notë proteste ambasadorit turk.
“Natyrisht, ne kemi ndjekur gjithë procesin intensivisht, agjencitë tona që janë përgjegjëse për këtë kanë raportuar te udhëheqja shtetërore në detaje gjatë disa muajve, për gjithçka që po ndodh. Dhe, natyrisht, në përputhje me këtë, duke i përdorur kanalet diplomatike, i kemi paralajmëruar përfaqësuesit turq se çka po ndodh është absolutisht e papranueshme. Natyrisht, ata flasin për faktin se bëhet fjalë për një lloj marrëveshje tregtare, për shitjet”, ka thënë Staroviq.
Ai thotë se ato janë armatime të cilat nuk i lejohen FSK-së t’i posedojë. Sipas tij, buxheti i ndarë për ushtrinë e Kosovës nuk mund t’i përballojë blerjen e dronëve turq, prandaj thotë se janë të sigurt se bëhet fjalë për donacion.
“Në anën tjetër, sipas gjithë asaj që ne dimë, duke llogaritur buxhetin e ndarë për FSK-në, ata nuk kanë para për ato gjëra dhe nuk bëhet fjalë për një marrëveshje tregtare dhe është e sigurt që janë donacione turke”.
Kryeministri Albin Kurti gjatë fundjavës ka publikuar fotografitë e dronëve, të cilët ka thënë se janë blerë nga Turqia. Shefi i shtetit serb ditë më parë ka thënë se Serbia s’do të blejë dronë Bayraktar pasi të tillë iu shitën Kosovës. Ndërsa rreth 10 ditë më parë pati një telefonatë me Erdogan të cilin tha se e ka njoftuar për zhvillimet në Kosovë. Me Turqinë u mor dje edhe Ministri i Mbrojtjes së Serbisë duke thënë se Komandanti i ri i KFOR’it do të jetë një gjeneral turk.