“Serbët kanë dashur të mbrohen”, Vuçiq sërish bëhet “qesharak” kur flet për sulmin terrorist të 24 shtatorit

I pyetur gjatë intervistës në CNN se a do t’i bartë pasojat Milan Radojiçiq pas sulmeve terroriste në Banjskë të Zveçanit, presidenti serb Vuçiq është përgjigjur duke thënë se “të gjithë do të vuajnë pasojat, të përfshirët, përfshirë edhe atë”.

I pari i shtetit serb po ashtu ka pretenduar se – në sulmin terrorist të 24 shtatorit – “serbët kanë dashur të mbrohen”. Ai po ashtu ka akuzuar Kosovën se që nga vitit 2013 “nuk donte të respektonte dialogun”.

“Të gjithë do të vuajnë pasojat, të përfshirët, përfshirë edhe atë, kjo është gjëja më e rëndësishme. Serbët kanë dashur të mbrohen, unë nuk do ta mbroj vrasjen e policit të Kosovës, nuk e justifikoj, por serbët u arrestuan, u kontrolluan shtëpitë e tyre, ata përjetojnë dhunën kudo. Që nga viti 2013, regjimi shqiptar nuk donte të respektonte dialogun. Dialogu është mënyra e vetme për zgjidhjen e problemeve” – tha Vuçiq.

Kontekst: Të dielën, më 24 shtator, rreth 80 terroristë serbë të armatosur rëndë kanë hyrë në fshatin Banjskë të Zveçanit. Sulmet e këtij grupi i morën jetën rreshterit Afrim Bunjaku dhe plagosën dy policë të tjerë. Kjo shënon një nga ngjarjet më të rënda në dekada. Sulmi doli të jetë një operacion i përgatitur gjatë dhe i mirëkoordinuar marrë për bazë arsenalin e frikshëm të armëve që dyshohet se kishin si qëllim “aneksimin total të veriut”.