S’e dekretoi, Osmanit ia çojnë sërish emrin e Blerim Isufajt për Kryeprokuror

Tri javë pasi presidentja Vjosa Osmani vendosi të mos e dekretojë Blerim Isufajn për Kryeprokuror, Këshilli Prokurorial i Kosovës ia ka çuar edhe një herë për dekretim emrin e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale.

Në KPK u vendos unanimisht që emri i Isufajt t’i dërgohet sërish shefes së shtetit për dekretim, raporton Kallxo.com.

Osmani më 17 tetor vendosi zyrtarisht që të mos e dekretojë Isufajn për kryeprokuror, pasi tha se në procesin e përzgjedhjes së tij kishte “shkelje masive”.

Presidentja pati thënë në një konferencë për media se KPK s’mund të ia çojë sërish emrin e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale për dekretim. Ajo pati thënë se sipas ligjit dhe Kushtetutës, KPK-ja ka të drejtë ta bëjë propozimin “një herë”.

“Sa i përket çështjes së dytë që ka të bëjë me Këshillin Prokurorial, ju e dini që sipas ligjit dhe Kushtetutës, Këshilli Prokurorial ka të drejtë që ta bëjë propozimin e kandidatit për Kryeprokuror një herë, për dallim prej çështjes së prokurorëve, për kryeprokuror ka të drejtë ta bëjë një herë propozimin dhe pastaj që ky propozim të vlerësohet nga ana e Presidencës”.