Scholz: Siguria dhe stabiliteti i Ballkanit Perëndimor nuk mund të merren si të mirëqena

Siguria dhe stabiliteti i shteteve të Ballkanit Perëndimor nuk mund të merren si të mirëqena, por duhet angazhim në mënyrë aktive ndaj tyre.

Kështu u shpreh kancelari gjerman Olaf Scholz, gjatë një konference të përbashkët me Denis Beçiroviç të martën, kryetar i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, në Berlin,

Komentet i bëri teksa foli për rëndësinë e bashkëpunimit më intensiv rajonal dhe shkëmbimit të ngushtë, i cili, tha ai, është bërë e qartë nga lufta e agresionit rus kundër Ukrainës. “Fatkeqësisht, paqja në Evropë nuk mund të merret më si e mirëqenë”, tha ai.

“Edhe në lidhje me shtetet e Ballkanit Perëndimor, siguria dhe stabiliteti nuk mund të merren si të mirëqena, por duhet angazhim në mënyrë aktive ndaj tyre”, paralajmëroi kancelari federal Scholz.

Scholz riafirmoi mbështetjen e fortë të vendit të tij për anëtarësimin e Bosnjë dhe Hercegovinës në Bashkimin Evropian.

Ai tha se pranimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE ishte shumë i vonuar dhe ky proces duhet të përshpejtohet.

“Gjermania po punon intensivisht për të siguruar që vendet e Ballkanit Perëndimor të kenë një të ardhme në Bashkimin Evropian”, tha Scholz, duke shtuar se Bosnja dhe Hercegovina së fundmi ka arritur një hap të rëndësishëm drejt këtij qëllimi.

“Këshilli Evropian vendosi në mars të hapë negociatat e anëtarësimit në BE. Ky ishte një hap i rëndësishëm për të cilin kemi punuar për një kohë të gjatë dhe jam i sigurt se kjo i jep Bosnjë dhe Hercegovinës shpresë të re për Evropën”.

“Ky vendim ishte një njohje e progresit që Bosnja Hercegovina ka bërë vitet e fundit dhe një sinjal i qartë për të gjitha forcat e orientuara drejt reformave në vend, si dhe për qytetarët në të gjithë rajonin. Ne jemi seriozë për perspektivën e BE-së”, shtoi ai.

Scholz gjithashtu theksoi se Bosnja e Hercegovina duhet të ndërmarrë hapat e nevojshëm për anëtarësimin në BE, të bëjë përparim në reformat politike dhe ekonomike.

Në lidhje me deklaratat e diskutueshme nga entiteti serb i Bosnjës, Republika Sërpska, Scholz tha se për Gjermaninë çdo përpjekje për të vënë në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje Hercegovinës është “e papranueshme”.

“Ne mbështesim rolin e rëndësishëm që luan përfaqësuesi i lartë për Bosnje dhe Hercegovinën në promovimin e demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut. Përpjekjet e tij po ndihmojnë për të monitoruar zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit të vitit 1995 dhe në këtë mënyrë të sigurojë paqen”, tha ai.

Scholz tha se Gjermania do të vazhdojë të sigurojë një kontingjent ushtarak për EUFOR-ALTHEA, forcën shumëkombëshe për të mbështetur pajtueshmërinë me Marrëveshjen e Dejtonit.

“Për të promovuar sigurinë dhe stabilitetin, Gjermania ka marrë pjesë edhe një herë në EUFOR-ALTHEA që nga viti 2022. Ne dëshirojmë të vazhdojmë këtë pjesëmarrje dhe në këtë mënyrë të japim kontributin tonë për sigurinë dhe stabilitetin”, tha kancelari gjerman Olaf Scholz.

Temë diskutimi mes dy politikanëve ishte edhe zgjerimi i bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor.

Kancelari Scholz iu referua Procesit të Berlinit të nisur nga Gjermania dhjetë vjet më parë, i cili tha se është instrumenti i duhur për bashkëpunimin rajonal.

“Mbi të gjitha, tregu i përbashkët rajonal duhet të forcohet më tej”, u shpreh ai.

Scholz foli për pritjet e tij që Bosnja dhe Hercegovina do të ratifikojë marrëveshjet lëvizshmërisë dhe gjithashtu do të pranonte deklaratën e energjisë të miratuar në Berlin në nëntor 2022.