Scholz flet në telefon me Kurtin, i kërkon hapa konkret për asociacionin

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, në bisedën telefonike që e ka zhvilluar sot me kryeministrin Albin Kurti, ka kërkuar që të ketë hapa konkretë nga Kosova, për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Në njoftimin e lëshuar nga Zyra Federale e Kancelarisë së Gjermanisë thuhet se Scholz theksoi mbështetjen e Qeverisë Federale për integrimin evropian të Kosovës dhe rikujtoi rëndësinë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit.

“Kancelari përshëndeti zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për Manastirin e Deçanit. Ai nënvizoi rëndësinë e hapave konkretë drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nga autoritetet e Kosovës, në kuadër të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, thuhet në njoftim.

Për të njëjtën bisedë telefonike ka shkruar edhe Kurti, i cili me anë të një postimi në platformën X ka thënë se shprehu mirënjohjen për mbështetjen e palëkundur të Gjermanisë për Kosovën.

“Në një telefonatë me kancelarin gjerman, Olaf Scholz i shpreha mirënjohjen për mbështetjen e palëkundur të Gjermanisë për Kosovën dhe nënvizova shpresën se Gjermania do ta mbështesë kandidaturën tonë për anëtarësim në KiE në përputhje me rekomandimet e PACE. Gjithashtu rikonfirmova angazhimin tonë për zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazë”, shkroi tutje Kurti.