Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës, dhe Kulturës (SBAShK) ka dalë me një reagim ndaj zëvendëskryeministrit Besnik Bislimit, të cilit duke thënë se urojnë që nga Këshilli Ekonomik Social në Holandë të marrë mësime se si zhvillohet dialogu social.
Ndër tjera, theksohet se Qeveria e Kosovës ka qasje të gabuar ndaj sindikatave dhe partnerëve socialë.
“Zëvendëskryeministër Bislimi çka do t’i thuash Këshillit Ekonomik Social të Holandës? Tregoju të vërtetën se me fajin e Qeverisë sonë mungon dialogu i mirëfilltë social. Ju trego se nga marsi e këndej është dashur të shpallet konkurs për të aplikuar punëdhënësit, pra odat, dhe sindikatat për përbërjen e re të Këshillit Ekonomik Social, por kjo nuk ndodhi me fajin e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale”.
“Ky Këshill nuk është funksional dhe nuk ka datë se kur do të bëhet një gjë e tillë. A do t’ju tregoni se, edhe për kundër gjithë atyre angazhimeve të përfaqësuesve të sindikatave në këtë Këshill, tani e sa vite të punësuarit në sektorin privat e publik kanë mbetur pa Marrëveshje të Përgjithshme Kolektive, e cila është bazë e realizimit e të drejtave të punëtorëve”.
“Drafti i kësaj Marrëveshje është punuar që moti, por Qeveria nuk kishte e nuk ka as sot e gjithë ditën gatishmëri për të nënshkruar atë. Zëvendëskryeministër Bislimi tregoju mikpritësve në Holandë se Qeveria e Kosovës ka qasje të gabuar ndaj dialogut social dhe ka pasur përpjekje edhe të përzihet në organizimin sindikal e madje edhe të shuaj zërin sindikal dhe se në vend të dialogut të sinqertë ka zgjedhur sulmet verbale dhe ironinë e talljet pa kripë ndaj udhëheqësve legjitim sindikalë”, thuhet në reagim.
Ky reagim vjen pasi Bislimi ka shkuar për vizitë në Hagë të Holandës.