Sarrazin për dialogun Kosovë – Serbi: Politika e brendshme do të bëhet një faktor i rëndësishëm

I ngarkuari i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, në kuadrin e Konferencës së Sigurisë në Mynih, ka folur për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE dhe ndër të tjera edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Sarrazin ka qenë i qartë duke thënë se dy palët duhet ta çojnë përpara zbatimin e Ohrit.

Zhvillimet dhe tensionet e vazhdueshme, ku janë bërë shumë hapa përpara, por edhe prapa, sipas Sarrazin, nuk tregojnë se dritarja është mbyllur sa i përket kësaj çështje.

Sarrazin ka deklaruar se e mbështesin rolin e emisarit evropian, Miroslav Lajçak, duke shtuar se edhe politika e brendshme në dy shtetet do të bëhet një faktor i rëndësishëm në marrëdhëniet Kosovë – Serbi.

“Së pari duhet thënë se dritarja nuk është mbyllur ende. Ne kemi të dërguarin e posaçëm të BE, Miroslav Lajcak, i cili punon, ai ka një agjendë dhe do që të arrijë zbatimin dhe implementimin e Ohrit. Dhe qasja jonë është që ta mbështesim atë dhe të bëjmë gjithçka, që kjo dritare të shfrytëzohet, të cilën Miroslav Lajcak e plotëson tani. Ai është shumë aktiv dhe kjo është qasja jonë. Më duket se nuk ka kuptim të mendosh shumë, se çfarë do të vijë paskëtaj. Ne jemi për Ohrin dhe duam që të dyja palët ta çojnë përpara zbatimin e Ohrit dhe mendoj se kjo është vendimtare. Unë shoh në të dyja palët se politika e brendshme do të bëhet një faktor i rëndësishëm. Dua ta them në mënyrë eksplicite; e ardhmja e të gjithë rajonit është në BE dhe kjo duhet të qëndrojë nganjëherë mbi politikën e brendshme.” – tha ai për DW.